Shqipëri, pse vrasin burrat – shteti mbron gratë deri në gjykatë

23:25 | 26 Shkurt 2020
Arbresh.info

Kur nuk janë mbyllur ende dy muajt e parë të vitit 2020, katër gra janë vrarë nga bashkëshortët apo familjarët e burrit në Shqipëri.

Ngjarjet e fundit kanë ndodhur në Rrëshen dhe Durrës. Krimi në familje është një ndër plagët më të rënda në shoqërinë shqiptare që vijon të marrë jetë njerëzish të pafajshëm prej shumë vitesh.

Për shërimin e kësaj sëmundjeje, Ipeshkvi i Mirditës, Gjergj Meta duke folur për Euronews Albania bën thirrje për edukim të të rinjve. Për ngjarjen në Rrëshen, ai thotë se, në periferi situatë të tilla sjellin elektrizim dhe ndihet ajo që ndodh.

Gert Shella, drejtor i Qendra për Çështje e Informimit Publik, problemi kryesor në krimin në familje qëndron tek mungesa e funksionimit të strukturave shtetërore.

“Edhe pse nëna janë me urdhër mbrojtje, përsëri bashkëshorti arrin të realizojë krimin fatal. Mungojnë strukturat bazë mbështetëse. Shteti shqiptar rri në pasivitet të plotë dhe nuk e vlerëson se si vlerësohet urdhri i mbrojtës për gratë”, u shpreh Shella.

Ndërsa psikologja, Valentina Telhaj bën thirrje që t’i kushtohet vëmendje shëndetit mendor, pasi shumë krime vijnë nga burra që kanë probleme psikologjike dhe mendore.

Telhaj bën apel që fëmijëve të mbetur jetimë t’u ofrohet mbështetje psikologjike për të kaluar dramën.

Në momentin kur nuk vihet fokusi tek shëndeti mendor dhe flasim vetëm pasi ka ndodhur ngjarja, atëherë jemi tepër vonë. Për ngjarjen konkrete në Mirditë, agresori duhet t’i bëhet një vlerësim psikologjik para se të lirohet nga burgu. Për të parë nivelin e ankthit dhe agresivitetit. Fëmijët? Është dramë me plot kuptimin e fjalës. Do të jetë akoma edhe më shumë kur të marrin vesh se agresori është ai që duhet ë bëjë gjithçka për t’i mbrojtur”, u shpreh Telhaj.

Dom Gjergj Meta, shprehet se, autorët e krimeve janë persona që janë rritur me dhunë në familje dhe për këtë arsye kërkon që strukturat e shërbimit psikologjik të funksionojnë.

“Këta persona janë të rritur me dhunën dhe me këtë stil jete që në fëmijëri. Dhunën mund ta krahasoj me një sëmundje, që shkon dhe godet tek pika më e dobët. Secili duhet të bëjë mirë punën e vet. E nis nga kisha, që duhet të jetë e ndjeshme dhe e afërt pranë familjes. Me mundësitë që kemi mund të ofrojmë mundësinë për edukimin e të rinjve. Por këtu kërkohet bashkëpunimi i familjeve. Shërbimi psikologjik është një nga shërbimet më fondamentale dhe duhet të ketë struktura funksionale në shkolla. Media duhet të jetë profesionale në trajtimin e këtyre situatave”, u shpreh dom Meta.

Për hallkën që mungon, ku sistemi funksionon deri tek gjykata dhe më pas nuk funksionon sistemi i ndjekjes së rasteve të dhunës në familje, z. Shella thotë se këtij problemi i është dhënë zgjidhje me ligj që në vitin 2011, por nuk zbatohet.

“Shqipëria e ka paraparë këtë që në vitin 2011 por nuk është zbatuar është ligji për mbikëqyrje elektronike. Në 2011, u vendos byzylyk elektronik. Nga 2013 deri 2017 jepeshin 1 mijë urdhër mbrojtje. Sot ka zero byzylyk të vendosur. Në momentin kur problemet shkojnë në gjykatë, shteti tërhiqe dhe i lë të konsumojnë dramën. Duhet të marrë dikush përgjegjësinë, duke nisur nga bashkitë dhe deri tek Ministria e Drejtësisë”, u shpreh drejtori i Infoçip.

Një problem tjetër sipas tij janë dhe rastet kur pavarësisht lëshimi të urdhrit për mbrojtje sërish viktima dhe agresori jetojnë në një shtëpi. Për këto raste, z. Shella thotë se shteti duhet të garantojë strehim për agresorët duke i larguar nga familja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme