Teatrin do e ndërtojë Bashkia, fondet do t’i kërkohen qeverisë

22:08 | 26 Shkurt 2020
Arbresh.info

Tirana do të ketë një teatër të ri modern, që plotëson të gjitha kërkesat e komunitetit të artistëve.

Për Top Channel, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se qeveria dhe bashkia kanë marrë përsipër të ndërtojnë me fondet e tyre teatrin e ri, pasi kërkesat e reja shtesë nga artistët nuk plotësoheshin dot nga kompania.

Veliaj sqaroi se me propozimin dhe vendimmarrjen që mori sot Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare, do të realizohet i njëjti projekt i teatrit, thjesht në vend që të jetë operatori privat, do të jetë qeveria dhe bashkia operatori që e realizon, duke i dhënë Tiranës një teatër modern për për 100 vitet e tjera.

Lidhur me reagimin e kryetarit të PD , Veliaj deklaroi se qartazi shqetësimi i Bashës është humbja e një biznesi sepse nuk arriti që të gjobiste biznesmenin e radhës. Veliaj nënvizoi se Basha po shkon drejt një humbjeje të sigurt, ndërsa Rama drejt një mandati të tretë si kryeministër. Kreu i Bashkisë u shpreh se koha ka treguar se ku ka ndërhyrë Bashkia e Tiranës dhe Qeveria e drejtuar nga Edi Rama, hapësirave publike u është kthyer dinjiteti.

Intervista e plotë:

Cila ishte arsyeja që kompania që do ndërtonte kompleksin e teatrit u tërhoq?

Veliaj: Përshëndetje Genta, të falenderoj për ftesën dhe pyetjen. Nuk kemi një tërheqje të kompanisë, kemi një negociatë dy mujore midis Bashkisë së Tiranës dhe komisionit ku ka edhe dy artistë që janë anëtarë të komisionit, drejtori i teatrit dhe një përfaqësues i regjisorëve dhe në këtë negociatë dy mujore, kompania bëri një ofertë jashtëzakonisht bujare që ishte oferta fillestare për të ndërtuar teatrin, ndërkohë që artistët kanë pasur kërkesa mbi atë ofertë. Është kërkuar fjala vjen një skenë rotative nga më modernet, ajo që përdoret sot në Broduej, diçka që e shtoi koston e realizimit të veprës së teatrit përtej kostos fillestare që kishte propozuar kompania dhe që tejkalonte biznes – planin e saj, ndaj nuk patëm një konflikt, patëm një ndarje në paqe, falenderuam kompaninë por për sa kohë që oferta tejkalohej morrëm përsipër që ta bëjmë ne këtë investim, si Bashki e Tiranës, njësoj siç bëjmë një shkollë, siç bëjmë sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, lodrat tek liqeni apo bulevardin e ri. Bashkia e Tiranës i ka kapacitetet dhe për sa kohë që doli përtej biznes – planit të kompanisë, çfarë ishte e gatshme të ofronte i thamë faleminderit por rrugët tona pas këtyre dy muaj negociatash ndahen këtu dhe ne teatrin do e bëjmë vetë, ndërkohë që pjesa tjetër, pjesa mbrapa është një pronë e Bashkisë së Tiranës e cila nëse do negociohej pas teatrit do e shtynte kalendarin edhe për disa muaj të tjerë, pra ne mund të shkonim në një realizim të veprës në katër apo pesë vite. Me propozimin dhe vendimmarrjen që mori sot Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare, ne do realizojmë të njëjtin projekt të teatrit, thjesht në vend që të jetë operatori privat, do jemi ne operatori që e realizon, pra do bëjmë teatrin e propozuar të Bjarke Ingels, një teatër modern për 100 vitet e tjera të Tiranës, ku nuk do të duhet të shkojmë në teatër me batanije.

Gazetarja: Ku do të gjenden paratë për ndërtimin e kësaj vepre zoti Veliaj?

Veliaj: Bashkia e Tiranës përveç fondeve të veta ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të financojë ose të japë atë që quhet garancia sovrane që ne të mund të kreditohemi. Është një procedurë që ne bëjmë tipikisht, fjala vjen investimi që ne po bëjmë në UKT, e kemi me një kredi të BERZH-it. Financimet që po bëjmë në Qytetin Studenti dhe në qendrat studentore i kemi me një financim të KFV-së, kështu që Bashkia e Tiranës, në mënyrë periodike tërheq financime, pra kreditohet për të bërë një punë, të cilën pastaj e paguan ndër vite. Kështu që qeveria shqiptare ka rënë dakord që të mbështesë propozimin e Bashkisë së Tiranës edhe unë them për të gjithë ata që kishin merak pjesën private dhe nuk kishin merak realizimin e teatrit, tani do duhet të gëzohen që do të realizojmë një teatër me financim publik dhe me një investim të Bashkisë së Tiranës, që do të ketë të njëjtën cilësi investimi si bulevardi i ri, Sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, liqeni, amfiteatri dhe shumë vepra publike që Bashkia e Tiranës ka realizuar në kohë rekord në këto 5 vite.

Gazetarja: Po me pjesën pranë teatrit, ajo që ishte e planifikuar për ndërtimin e kompanisë private, çfarë do të ndodhë?

Veliaj: Ajo është një pjesë që është pronë e Bashkisë së Tiranës, nuk është pronë as e një partie politike, nuk është pronë as e militantëve të partive politike, kështu që Bashkia e Tiranës ashtu siç negocion për çdo centimetër trotuar, për çdo pronë që ka, siç sot nga një bashki që ishte më varfanjakja në rajon, po kthehet në një bashki lider në rajon, sepse nuk i lë më copat lart e poshtë siç lihej me administratën e kaluar. Do të marrw kohën e vet që të negociojmë maksimumin për interesin e Bashkisë. Sot Bashkia e Tiranës ka rreth 100 zyra në qytetin e Tiranës. Në vend që të ishim pronari më i madh i qytetit, siç fjala vjen është Bashkia e Vjenës, ne jemi qiramarrësi më i madh i qytetit, kështu që sigurisht Bashkia e Tiranës në parkingun që ka pronë të vet, rezervon të gjithë të drejtën që të marrë kohën për të negociuar atë pjesë, por pjesa e teatrit ka një vendim, sot të bashkisë dhe të qeverisë shqiptare e cila do ta realizojë këtë me financat e veta. Një superteatër që i ka hije Tiranës në këtë 100 vjetor dhe që nuk mund të vazhdojë të jetojë në një kuti shkrepëse për 100 vitet e ardhshme të qytetit.

Lidhur me këtë zhvillim, pak më parë reagoi edhe kryetari i PD Lulzim Basha i cili tha se Rama dhe Veliaj nuk mund t’i hedhin hi syve dhe shqiptarëve dhe se pa një vendim të qartë që kullat nuk do të ndërtohen dhe teatri do të ruhet, PD, nuk tërhiqet nga qëndrimi dhe vendosmëria e saj. Keni ju një reagim për këtë?

Është e disata herë që unë dëgjoj që PD nuk tërhiqet nga gjërat. E dëgjova tek Astiri, e dëgjova tek sheshi “Skënderbej”, e dëgjova tek këndi i lodrave, e dëgjova tek bulevardi, e dëgjova tek rruga Durrës-Kukës, e dëgjova tek lagjja e oligarkëve, ku z. Basha jeton sot. Qartazi, nga reagimet duket më i shqetësuar për pjesën e investitorit privat. Atë lojë që tipikisht bëjnë kur sulmojnë gjithmonë një privat, qoftë ata që marrin rrugën e Kukësit, apo ata që qëndrojnë në kodrat e Lundrës dhe krejt papritur ai zgjohet një ditë në kodrat e Lundrës dhe jeton në vilat e oligarkëve, një ditë tjetër e gjen lidhjen me secilin kontraktor të çdo rruge, kështu që për të, qartazi është një biznes i humbur sepse nuk arriti që të gjobiste biznesmenin e radhës. Kjo është një ndërtesë publike, siç ndërtohet çdo shkollë e qytetit dhe siç kam dëgjuar atë që nuk tërhiqet nga asnjë betejë, mezi e pres ta shoh për betejën e radhës ku jo vetëm teatri do të bëhet. Ai po shkon drejt një humbjeje të sigurt, për një mandat të tretë të Edi Ramës si kryeministër. Kështu që për të gjitha këto arsye, nëse Lulzim Basha e ka një plan B, dhe ai do të shkojë në një teatër në Holandë. Ne nuk kemi një plan tjetër. Kështu që ne do të bëjmë një teatër të mirë në Tiranë. Ai ka një mundësi që pas humbjes së radhës të kthehet në atdheun e tij të adoptuar, kurse ne do të duhet të jetojmë në Shqipëri dhe do të duhet që ta bëjmë këtë me dinjitet, siç kemi bërë në të gjitha hapësirat publike ku ka ndërhyrë qeveria e Edi Ramës dhe Bashkia e Tiranës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme