Rrugët që lidhin Shqipërinë me Italinë, qytetarët ndihen të pasigurt nëse Coronavirusi depërton në vend

08:34 | 25 Shkurt 2020
Arbresh.info

Shqipëria ndjek me frikë atë që po ndodh në Itali ndërkohë që vendi luhatet midis mosbesimit se virusi nuk ka mbërritur dhe garancive të autoriteteve shëndetësore se gjithçka është nën kontroll.

Ditën e djeshme Coronavirusi ishte tema qendrore e çdo bisede në Shqipëri. Qytetarët ndjehen të frikësuar se epidemia, e cila tashmë ka marrë një numër viktimash në vendin fqinj mund të depërtojë në Shqipëri.

Në treg raportohet për mungesën e maskave mbrojtëse dhe dizinfektantëve, por nuk ka asnjë reagim zyrtar për gjendjen e këtyre produkteve farmaceutike që do të ishin të nevojshëm në rast të shpërthimit të epidemisë edhe në Shqipëri.

Zyrtarisht, vendi ynë konsiderohet me risk të ulët për prekjen nga virusi. Të paktën një person u mor në pyetje nga policia ditën e djeshme në Tiranë për shkak të përhapjes së njoftimeve me përmbajtje të pavërtetë. Nga ana tjetër ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nuk e mohoi dje se të paktën 8 persona janë dyshuar në Shqipëri si të infektuar me virusin korona, por pas testimeve të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik kanë rezultuar negativë.

Institucionet shqiptare kanë ftuar qytetarët të mos përhapin panik, pasi situata sipas tyre, është nën kontroll të plotë. Pas një vëzhgimi të kryer dje në Portin e Durrësit, udhëtarët që vijnë nga Italia në Shqipëri u shprehën për Euronews Albania se jo të gjithë i janë nënshtruar kontrolleve.

Nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, raportohet se vetëm ditën e djeshme janë ulur rreth 15 avionë që fluturonin nga Italia. Pasagjerë të shumtë mbërrijnë në Shqipëri çdo ditë nga destinacione si Milano, Firence, Venecia, Verona, Roma, Bolonja, Bergamo, Rimini, Bari dhe Xhenova qytete të cilat kanë lidhje direkte me Tiranën me linja fluturimi.

Ndërkaq shqetësimi qëndron në faktin se në shumë prej destinacioneve të sipërpërmendura numërohen persona të infektuar nga Coronavirus. Shqetësimi mbetet i njëjtë edhe në lidhje me linjat detare, ku numërohen dy tragete nga Bari dhe një nga Ankona, të cilët zbarkojnë drejt Portit të Durrësit, dhe një tjetër linjë nga Brindisi drejt Vlorës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme