Presidenti Ilir Meta ditën e sotme dorëzoi në SPAK kallëzimin penal kundër Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj si dhe ndaj dy zyrtarë të ministrisë, Gentian Deva dhe Etleva Haxhia.
Ndërkohë së fundmi Presidenca ka bërë publike edhe akuzat e ngritura ndaj Gjonajt, Devës dhe Haxhiajt, të cilët Ilir Meta i ka cilësuar si pjesë e strukturës që sipas tij po tenton të bëjë grusht shteti. Në dokumentin e publikuar nga Presidenca shpjegohen akuzat për ministren Gjonaj, Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë së Drejtësisë, Gentian Deva si dhe Drejtoren e Qendrës së Botimeve Zyrtare, Etleva Haxhia.
Ndër të tjera Meta thotë se Gjonaj dhe dy zyrtarët e saj akuzohen se në mënyrë të paligjshme publikuan në Fletoren Zyrtare vendimin për emërimin automatikisht si anëtare të Gjykatës Kushtetuese të Arta Vorbsin.
Kujtojmë se Presidenti Meta më dy mars ka thirrur edhe një protestë kundër asaj që e cilëson si grusht shtetit ku sipas tij në të bën pjesë edhe ministrja Gjonaj.
Akuzat e ngritura nga Presidenca:
Konsumimi i veprës penale parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës”
E kallëzuara Etilda Gjonaj, me detyrë Ministre e Drejtësisë:
• Me veprime aktive, ka orientuar të gjithë veprimtarinë e strukturave të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qendrës së Botimeve Zyrtare duke lejuar botimin në Fletoren Zyrtare të një akti të pabotueshëm.
Duke qënë mirë në dijeni të detyrimeve dhe të drejtave dhe rolit të Ministrisë së Drejtësisë dhe ministrit të Drejtësisë në raport me sistemin gjyqësor dhe sistemin e drejtësisë në tërësi, sipas ligjeve në fuqi:
– Ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit”, i ndryshuar;
– Ligj nr. 8678, datë 14.5.2001 “Për organizimin dhe funsionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar; dhe veçanërisht
– Ligji nr. 78/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”;
ka shfrytëzuar pozitën e të paturit në varësi të Qendrës së Botimeve Zyrtare për të përcjellë dhe urdhëruar përmes akteve të falsifikuara, botimin e një akti të cilin mirë e dinte se nuk botohej sipas ligjit në fuqi dhe që ishte publikuar që në datën 22 shtator 2019 në faqen e intenertit të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
• E kallëzuara Etilda Gjonaj, sipas neneve 5, 6 dhe 18 të ligjit nr. 8678/2001 dhe të nenit 4, të ligjit nr. 74/2014, ka përgjegjësinë direkte të kontrollit dhe monitorimit të veprimtarisë së Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe po në mënyrë direkte mban përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit të kryer nga ky institucion.
• Kësisoj, e kallëzuara Etilda Gjonaj, nuk mundet të pretendojë se nuk ka dijeni për këtë komunikim shkresor mes Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë që drejton dhe Qendrës së Botimeve Zyrtare. Kjo sepse së pari, fakti dhe problematika e botimit është bërë me dije prej muajsh tashmë, dhe nuk ka asnjë qëndrim të sajin që nëse nuk ka patur dijeni për këto veprime, të evidentonte dhe reflektonte duke ekspozuar në publik përgjegjësit për shkeljen kaq të pashembullt të ligjit dhe të merrte masa ndaj tyre, madje duke treguar një akt të lartë moral e të përgjegjshëm deri në dhënien e dorëheqjes nga ana e saj për shkak të dështimit në përmbushjen e detyrave ligjore të ministrit të Drejtësisë dhe të kontrollit të veprimtarisë së nëpunësve në varësi të saj.
• Përkundrazi, kjo heshtje e saj tregon se ka qënë pikërisht ajo urdhëruesja direkte e nxjerrjes së stafit në punë ditë të shtune pushimi, kërkimit me ngulm të përpilimit dhe përcjelljes së shkresave për botim të vendimit të KED-së po brenda ditës.
I kallëzuari Gentian Deva:
• Me veprime aktive, të kundraligjshme, ka nënshkruar një shkresë me nr.7575 prot, datë 9.11.2019, ku i kërkon Qendrës së Botimeve Zyrtare të botojë një akt të pabotueshëm në këtë Fletore Zyrtare.
• Me këtë shkresë, të konceptuar si një veprim normal, ai ka përcjellë për botimin pranë QBZ-së, Vendimin nr. 132, datë 21.09.2019 të KED-së, i cili është një akt që nuk botohet në Fletore Zyrtare dhe që nuk është prodhuar nga Ministria e Drejtësisë, gjë e cila përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga ana e tij.
• Pra i kallëzuari Gentian Deva edhe pse ka qenë në dijeni të faktit që vendimi nr.132, datë 21.09.2019 i KED-së, është një akt që nuk është nxjerrë nga organi i Ministrisë së Drejtësisë, sërish ai me dashje direkte dhe në kundërshtim me ligjin duke dëshiruar ardhjen e pasojës (botimin e aktit në Fletoren Zyrtare), ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke bërë kështu që të ketë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ai në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 78/2018 dhe ligjit nr. 115/2016, ka kërkuar botimin në Fletoren Zyrtare të një akti që nuk botohet në fletoren zyrtare dhe që nuk ishte lëshuar nga organi ku ai kryen funksionin si Sekretar i Përgjithshëm. Të gjitha këto veprime a mosveprime të kryera në kundërshtim me ligjin, provojnë qartë se ai ka konsumuar veprën penale parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Veprimet e tij janë të qëllimshme, duke mbajtur në konsideratë se në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, ka përcjellë vazhdimisht akte të Ministrisë së Drejtësisë për botim të Fletoren Zyrtare. Për më tepër, profili i tij si një nëpunës pjesë e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues, kërkon domosdoshmërish njohjen shumë të mirë të legjislacionit të zbatueshëm për detyrën ku ushtron funksionin. Aq më shumë që, QBZ është institucion varësie i Ministrisë së Drejtësisë dhe çdo Sekretar i Përgjithshëm ka detyrimin të njohë mirë legjislacionin e zbatueshëm nga institucionet në varësi. Mos njohja e ligjit nuk përbën shkak për përjashtimin nga përgjegjësia penale.Vendosmëria dhe qëllimi i tij i drejtpërdrejtë, dalin në dukje qartazi duke mbajtur në konsideratë faktin se praktika e përcjellë nga Kuvendi i Shqipërisë nuk i ishte përcjellë atij personalisht, por Ministres së Drejëtsisë. Ndërkohë që i kallëzuari Gentian Deva, ka kërkuar botimin dhe ka përcjellë për botim, akte që në fakt nuk i kishte administruar, apo shqyrtuar zyrtarisht në momentin e përpilimit dhe dërgimit të shkresës prej tij që mban numrin e protokollit nr. 7575, datë 9.11.2019. Kjo pasi sipas numrave të protokollit, shkresa e Kvendit është përcjellë dhe regjistruar me numër protokolli pasues me nr. 7576 prot, datë 9.11.2019.
Me veprimet dhe mosveprimet e tij zoti Gentian Deva me detyrë Sekretar i Përgjithshëm, ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, element këto të parashikuar sipas nenit 248 të Kodit Penal dhe që fakton se vepra penale është konsumuar. Publikimi në Fletoren Zyrtare, i një akti të tillë, i cili ligjërisht nuk është i botueshëm, ka sjellë ndërkohë dhe dëmtim të interesave shtetërorë në disa dimensione:
– Së pari, është dëmtuar veprimtaria normale ligjore e Qendrës së Botimeve Zyrtare, si një organ shtetëror që administron Fletoren Zyrtare. Fletorja Zyrtare, jo vetëm me ligj, por edhe për shkak të traditës, ka marrë në sytë e publikut por edhe në veprimtarinë e organeve shtetërore, një status të veçantë në vlerën e një dokumenti zyrtar, në të cilin kur aktet botohen, këto të fundit marrin fuqi juridike, pavarësisht se ligji i përcakton mirë se cilat janë aktet e botueshme në Fletoren Zyrtare. Pikërisht mosnjohja prej publikut të gjerë të përmbajtjes së ligjit që bën ndarjen e akteve që botohen ose jo, është shfrytëzuar nga të kallëzuarit që të përdorin teorinë e faktit të kryer se tashmë që ky vendim botohet, hyn në fuqi. Në këtë situatë “përdorimi i “faktit të kryer” për qëllime propagandistike, përmes botimit në Fletoren Zyrtare, përveç se është një akt i paligjshëm, ka synuar që të krijojë në sytë e publikut dhe institucioneve shtetërore përkatësisht dhe tek deputetët e Kuvendit, realitetin e rremë, se ajo ç’ka pasqyrohet (botohet) në Fletore Zyrtare është e vërteta dhe se për këtë shkak ka dhe “fuqi juridike”. Ky është dëmtimi më i madh që mund t’i shkaktohet interesave shtetërore. Pra keqpërdorimi i Qendrës së Botimeve Zyrtare në atë farë mase saqë çdokush nga publiku mund të imagjinojë se një ligj, një dekret, një vendim i Këshillit të Ministrave, apo vendim i Gjykatës Kushtetuese apo i Gjykatës së Lartë mund të mos botohet apo më keq akoma që çdokush mund të mendojë se në Fletoren Zyrtare, kush e ka në dorë, mund të botojë një ligj, një “dekret” apo “VKM” që nuk është miratuar fare. Në sytë e publikut apo institucioneve shtetërore, nje akt “fantazme” i tillë do të zbatohej nga këta të fundit duke rrënuar tërësisht konceptin shtet.
Sjellja e të kallëzuarve përveç se përbën vepër të rëndë penale, përbën rrezik shtetëror dhe kombëtar.
– Së dyti, është dëmtuar interesi i kandidates Arta Vorpsi. Pavarësisht interesave të saj, akteve të saj të betimit të datës 14 nëntor 2019, përdorimit apo bashkëpunimit të saj me Kuvendin apo me segmente të tjera, ajo kishte të drejtë që së paku të përfshihej për votim si kandidate në seancën plenare të Kuvendit të datës 11.11.2019. Përjashtimi i saj nga votimi është bërë edhe në saj të faktit që për disa zyrtarë të caktuar të Kuvendit, përjashtimi u bë i mundur sepse kishte “ndodhur” ndërkohë botimi në Fletoren Zyrtare dhe për pasojë disa besuan apo disa të tjerë keqpërdorën realitetin e rremë se znj. Vorpsi tashmë ishte anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
– Së treti, është dëmtuar interesi i Kuvendit, sepse me anë të aktit të botimit në Fletoren Zyrtare znj. Vorpsi u përjashtua nga votimi dhe për pasojë Kuvendi për secilën nga dy vakancat për plotësim prej tij, ngeli në procesin e votimit me vetëm me 1 kandidat, ndërkohë që, Kushtetuta kërkon përzgjedhje ndërmjet 3 kandidatëve.
Pra përmes këtyre veprimeve të kundraligjshme që për disa deputetë mund të kenë qenë të njohura, Kuvendi u shty të shkelte Kushtetutën dhe ligjin nr.8577/2000, si në rastin e votimit të zonjës Elsa Toska, ashtu dhe në procesin e votimit të zonjës Fiona Papajorgji si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Ky fakt i vetëm, si dhe që këto letërshkëmbime janë bërë me kaq urgjencë dhe me mirëkoordinim, ditë të shtunë – ditë pushimi, hedh dritë mbi kryerjen e veprimeve nën urdhrin e eprorit më të lartë, si pjesë e bashkëpunimit të ngushtë në këto veprime të kundërligjshme, me qëllimin e vetëm realizimin e botimit të aktit brenda ditës në mënyrë që ky botim të intepretohej në perceptimin e opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar se tashmë një kandidat (që i takonte të zgjidhej vetëm nga Presidenti sipas kompetencave kushtetuese) ishte vetzgjedhur dhe Kuvendi ta përdorte këtë fakt si argument ditën e hënë në datë 11.11.2019, përgjatë seancës plenare për ta shmangur nga procesi i votimit kandidaten Arta Vorpsi.
E kallëzuara Etleva Haxhia, me detyrë Drejtore e Qendrës së Botimeve Zyrtare:
Si titullare e Qendrës së Botimeve Zyrtare, ka detyrime të qarta të përcaktuara në ligjin nr. 78/2014 sa i përket respektimit të procedurës së botimit të akteve në Fletoren Zyrtare.
• Tashmë, në formë shkresore, znj. Etleva Haxhia, ka pranuar dhe vetë se ka botuar një akt të pabotueshëm, me kërkesën eksplicite të Ministisë së Drejtësisë, pa patur asnjë korrepsondencë me organin që ka nxjerrë aktin. Por znj. Etleva Haxhia, nuk tregon dhe duhet të jetë fakt që duhet të dalë gjatë hetimeve, nëse ka komunikuar me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë, Ministren e Drejtësisë, apo ndonjë funksionar të lartë publik, në ndonjë mënyrë, apo jo. Kjo pasi të gjithë veprimet e evidentuara deri më tani, tregojnë se ka patur komunikime që kanë detyruar znj. Haxhia dhe stafin në varësi të saj, të dalë në punë ditë të shtunë pushimi, ashtu siç ka tashmë të dhëna dhe fakte edhe për përfshirjen e të kallëzuarit Ardian Dvorani në këtë skemë, i cili ka vepruar në cilësinë individuale dhe jo në emër dhe me autorizim të Këshillit.
Me veprime aktive, zonja Haxhia ka shkelur dispozitat, e ligjit nr. 78/2014 (nenet 3, 6, 8, 9, 10), duke vepruar ditë të shtunë, pushimi zyrtar, mbi një akt që:
– Nuk botohej sipas ligjeve në fuqi;
– Edhe sikur të botohej, nuk ishte përcjellë nga organi që e kishte nxjerrë;
– Nuk kishte administruar sipas ligjit kopje origjinale të këtij akti.
B- Konsumimi i veprës penale parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”
I kallëzuari Gentian Deva dhe e kallëzuara Etilda Gjonaj:
• Me veprime aktive, kanë synuar dhe kanë bashkëpunuar në mënyrë të strukturuar kriminale për rrëmbimin e një kompetence kushtetuese që i takonte vetëm Presidentit të Republikës, në mënyrë që mazhoranca të merrte kontrollin politik të Gjykatës Kushtetuese.
• Me veprime aktive, që shkojnë deri në formalizimin e këtyre sjelljeve të strukturuara kriminale me shkresa zyrtare, të dy këta të kallëzuar kanë ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj titullarit të Qendrës së Botimeve Zyrtare, për të vepruar në kundërshtim me përcaktimet e ligjit nr. 78/2014.
• Në varësi të personave me të cilët ka komunikuar e kallëzuara Etilda Gjonaj, komunikime që do duhet të verifikohen gjatë hetimit penal, mund të evidentohet lloji i përfitimit që i është premtuar në këmbim të ndikimit të saj të paligjshëm ndaj titullarit të institucionit të saj të varësisë. Premtimi ndaj saj mund të jetë dhe premtim i një natyre të veçantë, si ai i qëndrimit më gjatë në funksionin politik që ushtron aktualisht, apo çdo favor tjetër që mund t`i jetë ofruar në këmbim. Ashtu siç edhe mund të jetë vënë para detyrimit për ta ushtruar ndikimin e saj të paligjshëm, në këmbim të favorit që i është bërë duke e emëruar së pari në detyrën e ministrit të Drejtësisë.
• Në rastin konkret, pasojat qartazi kanë ardhur, botimi në Fletoren Zyrtare është realizuar dhe zonjës Arta Vorpsi nisur nga ky veprim i është mohuar me pa të drejtë nga Kuvendi i Shqipërisë, e drejta për të marrë pjesë në garë, pasi Kuvendi e ka hequr këtë kandidate nga lista e kandidatëve që mund të votoheshin në seancën e datës 11.11.2019.
• Ky veprim që përbën vepër penale, konkurron me veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
C- Konsumimi i veprës penale parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal “Falsifikim i dokumenteve”
I kallëzuari Gentian Deva dhe e kallëzuara Etilda Gjonaj:
• Përpilimi dhe dërgimi i shkresës me nr. prot. 7575, datë 9.11.2019, ditë të shtunë pushimi, dhe dërguar QBZ-së, nisur nga përmbajtja dhe të dhënat që referohen në të, është tregues që nga i kallëzuari Gentian Deva dhe e kallëzuara Etilda Gjonaj, është konsumuar vepra penale e falsifikimit të dokumenteve shtetërore.
• Përmes kësaj shkrese, kërkohet botimi i aktit, vendimit nr. 132, datë 21.09.2019 i KED-së në Fletoren Zyrtare, pa patur asnjë kompetencë ligjore për ta botuar këtë akt, dhe pa patur asnjë kërkesë të tillë.
Në këtë shkresë, citohet se, nga Kuvendi i është përcjellë shkresa nr. prot. 3991/1, datë 9.01.2019 (datë e gabuar, pasi data e shkresës së Kuvendit është 9.11.2019, por një element që në fakt tregon nxitimin në përmbushjen e angazhimit që kanë marrë përsipër në shkelje të ligjit).
• Por, shkresa e Kuvendit që referon Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë dhe që presupozohet se e ka vënë në lëvizje këtë institucion, në fakt, sipas numrit të protokollit hyrës në Ministrinë e Drejtësisë, mban nr. 7576, datë 9.11.2019. Pra, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, ka përcjellë për në QBZ, me një shkresë me numër protokolli pararendës (nr. 7575) dokumente që ligjërisht dhe zyrtarisht, nuk i kishte marrë ende në institucion, as nuk i kishte protokolluar (pasi i protokollon më pas, me nr. prot. 7576).
Të kallëzuarit, kanë krijuar idenë e rreme edhe pranë titullarit të QBZ-së, se kjo kërkesë vinte nga Kuvendi, ndërkohë që as në shkresën e Kuvendit nuk kërkohet botimi i aktit, por janë siguruar të citojnë me kujdes si në lëndën e shkresës, dhe në mbylljen e saj, se ky informacion përcillet “për dijeni”.
• Ky është një falsifikim i pastër i përmbajtjes së shkresave, ndërkohë që mund të jenë shoqëruar edhe me tentativën për falsifikim të Regjistrave të Protokollit për të mbuluar plotësisht skemën.
D- Konsumimi i veprës penale parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”
E kallëzuara Etilda Gjonaj dhe i kallëzuari Gentian Deva:
Me veprimet e tyre, janë në cilësinë e bashkëpunëtorëve në serinë e veprimeve të struktuurara dhe koordinuara në shkelje të ligjit, për rrëmbimin e kompetencave të Presidentit për emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese. Veprime këto në mbështetje të skemës së ndërtuar dhe që nis me përcjelljen nga Kryetari i KED-së Ardian Dvorani të dy listave të kandidatëve njëherazi përkundrejt Presidentit të Republikës në datën 8 tetor 2019, e që kanë vijuar me përpilimin dhe nënshkrimin e shkresës me nr. prot. 716/1, datë 8.11.2019, me lëndë “Për dërgimin e informacionit të kërkuar mbi ecurinë e procesit të emërimit/zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, nga ana e të kallëzuarit Ardian Dvorani.
Dhe kjo mbështetje është ofruar në harkun kohor të dy ditëve, në datat 8 dhe 9 nëntor 2019, kur gjithë strukturat e administratës janë vënë në lëvizje në funksion të këtij qëllimi, duke provokuar t’i imponojnë Presidentit të Republikës dhe anëtarëve të Kuvendit “një rregull të ri” me qëllim që të shkelet hapur Kushtetuta dhe radha e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të mashtrojnë opinionin publik.
Veprimet e paligjshme të sipërcituara kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, kanë tentuar rrëmbimin e kompetencave kushtetuese të:
– Presidentit të Republikës, për emërimin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, sipas vakancës së shpallur prej tij, që është përcaktuar qartë në nenin 125, pika 1 dhe 179, pikat 2, 3 dhe 12, të Kushtetutës;
– Kanë diktuar apo ndikuar në vijimin e veprimeve në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin nga ana e Kuvendit, duke i mohuar kandidates Arta Vorpsi të drejtën e pjesëmarrjes në procesin e votimit për dy vakancat që plotësoheshin nga Kuvendit;
– Kanë rrëmbyer kompetencat e vetë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për sa kohë i kallëzuari Ardian Dvorani, nuk e thirri Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, të shqyrtonte dhe të formonte vullnetin e tij për t`i kthyer përgjigje shkresës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;
– Kanë cenuar në themel dhe publikisht të gjithë legjitimitetin e procesit të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese;
– Kanë shkatërruar besimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit.
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...
KOSTT: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ndërlidhet me ndërprerj...
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Aivo Orav: E dënoj rastin, përgje...
ShBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e ka mbështetje...