Google ADS

Veriu i Italisë nën ankth, mbyllen restorantet dhe boshatisen rrugët

14:34 | 23 Shkurt 2020
Arbresh.info

Frika e koronavirusit e ka shndërruar praktikisht në një qytet fantazëm Codogno-n në veri të Italisë.

Rrugët e tij janë shkretuar pas njoftimit se një grua 76-vjeçare vdiq atje prej koronavirusit të ri. Dyqanet, baret dhe restorantet janë mbyllur, ndërsa farmacive u është kërkuar të qëndrojnë hapur në mënyrë që njerëzit të kenë mundësinë të blejnë ilaçe.

“Jam e frikësuar të them të drejtën, sepse kushdo nga ne mund të infektohet. Unë punoj në restorant, kështu që jam kontakt me shumë njerëz”, shprehet Erika, kamariere.

“Njerëzit po blejnë masivisht maska, por për fat të keq ato janë duke mbaruar. Shumica vinin nga Kina, e atje maskat po i mbajnë vetë tani, sepse u duhen pasi kanë probleme të mëdha. Farmacitë këtu sidoqoftë janë të hapura, sepse kemi marrë udhëzime që të mos i mbyllim. Edhe ne sigurisht kemi frikë, thjesht urojmë që të mos prekemi nga virusi. Është e qartë se njerëzit duhet të reagojnë sa më shpejt sepse ashtu kanë më shumë shanse të kurohen. Nëse shkojnë në spital në një situatë të dëshpëruar, edhe për mjekët bëhet më e vështirë”, tregon Rosa Cavalli, farmaciste.

Dy vdekjet e shënuara nga virusi kanë bërë që frika e tij të pushtojë veriun e Italisë, ku mjaft qytete kanë mbyllur shkollat e dyqanet në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes. Italia u bë të premten vendi i parë në Europë që raportoi rast vdekjeje nga Covid 19. Autoritetet shëndetësore atje thonë se ky virus është mjaft i fortë dhe shumë ngjitës, megjithatë, këmbëngulin se situata sot, nuk është ajo e një pandemie.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme