Nga: Ben Andoni
Më në fund është gjetur një mënyrë proteste origjinale. Pra, vetëm pasi u lodhëm me të shara, ofendime dhe mllefin virtual. Fermerët, këtë herë, nuk kanë zgjedhur t’i ankohen kryeministrit në fushatë elektorale, apo kandidatit për kryeministër, por direkt atyre që bëjnë ligjet e shtetit shqiptar e mu në shtëpinë e tyre. Për të trokitur në vëmendjen e tyre s’kanë përdorur taktin apo vezët si në Kosovë, por patatet dhe qepët për t’i kujtuar se fermerët e Qarkut të Korçës, njërës prej krenarive të bujqësisë sonë, prodhimet me të cilat mbajnë familjet po ju kalben në fushë.Irritimi i tyre është zgjidhur shpejt, sepse forcat e rendit nuk i kanë lënë t’ua fëlliqin makinat e shtrenjta ligjvënësve shqiptarë. Por, njerëzve kudo, kjo protestë e vogël i ka kujtuar, sesi trajtohet një nga fushat me të cilën shqiptarët kanë mbrujtur ekzistencën e tyre.
Shqipëria, konsiderohet realisht si vend bujqësor por pa bujqësi. Që pas Ligjit 7501, ajo jo vetëm se ka ngritur më kokën në këtë fushë, por e ka përcjellë në vuajtje dhe në telashe pa fund. Fillimisht, Ligji 7501 si baza e të gjitha problemeve deri më tash, që me parcelizimin ka bërë bllokimin dhe kaosin e tregut të tokës. Që e bashkuar edhe me shkatërrimin e sistemit të kullimit, të shkaktojë prej përmbytjeve të sotme dhe deri në mungesën e vaditjes dhe sherret e pafundme mes fshatarëve, që kullojnë shpesh gjak në vend të ujit të jetës.
Por se mos vetëm kjo. Në vend nuk ekziston më ai Instituti i Farërave, që prodhonte dhe patentonte farërat shqiptare, duke krijuar varietetet e ndryshme që përputheshin me klimën dhe zonat e veçanta, kurse kontrolli i farërave që importohen, asnjëherë s’është i sigurt siç ndodh rëndom në vendet normale të Evropës. Jo shumë vite të shkuara kujtojmë se në Mat dolën fusha të tëra me misër të degjeneruar, që do të thoshte se familje të tëra s’do kishin sasinë e duhur që u duhej për mbijetesën e atij viti. Dhe, sërish s’mbaron këtu, pasi TVSh dhe gjithçka që fermerët paguajnë për plehrat dhe makineritë, ua kanë bërë më të vështirë të përditshmen, kurse sistemi bankar e shikon bujqësinë e Shqipërisë si një fushë me risk të lartë në kredidhënie. Specialistët shtojnë dhe mungesën prej shtetit të fondeve të garancisë për fermerët që t’i kompensojë me një pjesë të interesit.
Ndaj, protesta e zbehtë e këtyre njerëzve, u kujtoi sot të gjithëve sesa vuajnë këta njerëz të mbijetojnë, por edhe sesi i shpërfillin, derisa monopolet të vazhdojnë e të sjellin të qetë prodhimet e huaja, kurse prodhimet e fermerëve shqiptarëve të kalben fushave. Ja pse ato patate dhe qepë mbi makinat e deputetëve na kujtuan se çfarë po i bëjmë vetes, me të papërgjegjshmit që na drejtojnë edhe në bujqësi.
Gresa pyet banorët nëse janë të lumtur – Vullneti befason me...
Shërbimi Korrektues i Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimi...
Moti sot me diell dhe pjesërisht i vranët
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...