Man City fiton përballjen kundër Leciesterit, merr pikë të mëdha në garën për vendin e dytë

20:42 | 22 Shkurt 2020
A. B.

Manchester City ka arritur ta mposhtë, në stadiumin King Power, me epërsi minimale 1:0 Leicester Cityn, në një ndeshje të rëndësishme të xhiros së 27-të të Premierligës për garën për pozitën e dytë në tabelë.

Manchester City i Pep Guardiolës e dominoi ndeshjen kundër Leicester Cityt me posedim të topit si dhe me numër të rasteve të krijuara. Citizens i patën tri mundësi të arta për të shënuar gjatë 90 minutave lojë të kësaj përballjeje, ndërsa Leicesteri e pati vetëm një dhe atë s’e shfrytëzoi, raporton Gazeta Express.

Fitoren dhe tri pikët e kësaj ndeshjeje Manchester Cityt ia dha Gabriel Jesus, me golin që e shënoi në minutën e 80-të të ndeshjes e që fillimisht u kontrollua edhe nga VAR-i për një pozitë të mundshme jashtë loje.

Megjithatë, goli ishte i rregullt dhe Guardiola e mori këtë fitore për ta përforcuar renditjen në pozitën e dytë të tabelës së Premierligës, e cila megjithatë s’i ndihmon në kualifikimin për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, pasi që klubi është dënuar me dy vjet pezullim nga garat e UEFA-s.

Leicesteri mbetet ende në pozitë mjaft të mirë për kualifikimin në Ligën e Kampionëve, pasi që i ka grumbulluar deri më tani 50 pikë, ndërsa ndiqet nga pas nga Chelsea që i ka 44 pikë.

Kjo fitore është e rëndësishme për Manchester Cityn pasi që i jep vetëbesim skuadrës para një ndeshje të madhe në mesjavë, kundër Real Madridit në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme