Operatori lider në vend, Vala, filloi sot zbatimin e projektit Wifi-Offload, që i ka kushtuar kompanisë mbi 1 milionë euro. Në mbi 400 pika do vendosen access point që do ta shpejtojnë dhe fuqizojnë 3G dhe 4G e Vala-s. Pas Prishtinës projekti shtrihet në të gjitha qytetet tjera të Republikës së Kosovës.
Festat e fundvitit dhe Viti i Ri 2016, do ta gjejnë qytetin e Prishtinës, pikat turistike në Kosovë dhe vendet e tjera, të mbuluara nga valë të fuqishme të internetit Wifi, të transmetuara nga operatori lider në vend, Telekomi i Kosovës – Vala.
Projekti i cili ka filluar të zbatohet nga dita e sotme, synon që të fuqizojë internetin 3G dhe 4G në telefonat e mençur-smart, fillimisht në mbi 400 pika në qytetin e Prishtinës dhe vendet turistike, ndërsa më pas do të shtrihet në të gjitha qendrat e Kosovës.
Blerja e teknologjisë së re nga ana e Telekomit të Kosovës, apo access point si quhen në gjuhën teknike, është kryer prej kohësh.
Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Vala, Agron Mustafa, tha se implementimi i këtij projekti së bashku me dhënien e brezit frekuencor shtesë, do t’i japin klientëve të Vala-s një internet super të shpejtë në telefonat e tyre.
“Blerja e teknologjisë dhe access point për projektin Wifi-Offload është kryer pothuajse para një viti, shumë kohë para se unë të merrja pozitën e Drejtorit Menaxhues në Telekomin e Kosovës. Kjo teknologji, e cila i ka kushtuar kompanisë mbi 1 milionë euro nuk është vënë asnjëherë në funksion. Për çudi teknologjia flenë në depo të Vala-s, ndërsa klientët si biznesi ashtu edhe qytetarët, kanë nevojë për internet të shpejtë dhe kualitativ”, tha Drejtori Menaxhues i Vala-s, Agron Mustafa.
Sipas tij, projekti Wifi-Offload, do të vihet në zbatim në prag të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
“Në momentin që projekti do të jetë në funksion, të gjitha pikat më të frekuentuara në Prishtinë dhe pikat e tjera turistike, do të kenë një internet jashtëzakonisht kualitativ. Kur kjo të kombinohet edhe me brezin frekuencor shtesë që pritet ta marrim shumë shpejt, brenda këtij muaji, mund të them lirshëm që interneti 3G dhe 4G që do të ofrojmë do jetë larg më i mirë sa mund të ofrojë çdo operator jo vetëm në regjion, por edhe më larg”, tha Mustafa.
Operatorë të fuqishëm nëpër botë, kanë implementuar projektin e Wifi-Offload duke ofruar kapacitete të mëdha të internetit, zakonisht në qendrat e frekuentuara prej shumë qytetarëve.
Në kushtet e dendësisë së madhe të frekuentimit dhe përdorimit të internetit 3G dhe 4G, access-point-ët e instaluar kombinohen me antenat e operatorit, duke ofruar internet në mënyrë konstante.
Përdoruesit nuk e vërejnë se nga është duke ardhur interneti, antenat e zakonshme të Vala-s apo acsess point e instaluar të projektit Wifi offload.
/Telegrafi/
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...
Rutte flet me Erdoganin për situatën e sigurisë në Kosovë
Vera e ardhshme pritet ta gjej në skuadër të re Fisnik Aslla...