Google ADS

Meta fton sërish të gjithë shqiptarët të protestojnë me 2 mars

10:57 | 20 Shkurt 2020
Arbresh.info

Pas thirrjes për besëlidhjen më 2 mars, Presidenti i vendit, Ilir Meta u është drejtuar sot me një tjetër mesazh të fortë shqiptarëve.

Me një shënim në faqen e tij në Facebook, Meta fton gjithë shqiptarët në 2 Mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“T’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë”- shkruan presidenti.Postimi i Metës

Të dashur qytetarë të Republikës së Shqipërisë!

Agresioni pushtues i Rilindjes ndaj të gjithë institucioneve të pavarura në vend është një realitet i hidhur që secili prej jush e ndjen çdo ditë. Por kokëfortësia e saj për të pushtuar me çdo çmim dhe në mënyrë jo vetëm antikushtetuese por edhe mafioze Gjykatën Kushtetuese përbën qartë një grusht shteti, me qëllim instalimin e një diktature të pakicës që ka tmerr nga liria e popullit shqiptar dhe kërkon të zhdukë çdo mundësi demokratike për ndryshim dhe llogaridhënie.

Ndaj ju ftoj të gjithëve në 2 Mars, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” t’i japim paralajmërimin e fundit kësaj bande që nuk ka ditë që nuk përdhunon Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Nuk ka forcë në botë t’i kthejë shqiptarët 30 vite pas për të zbrazur Shqipërinë nga rinia jonë e mrekullueshme dhe për t’ia dorëzuar mafies ndërkombëtare të ardhmen e Atdheut tonë.

Ndaj në 2 Mars të bëjmë një Besëlidhje të Re për t’ia kthyer sovranitetin e humbur popullit shqiptar dhe rivendosur demokracinë, llogaridhënien dhe sundimin e Kushtetutës.

Shqipëria e para!

Shqiptaria e shqiptarëve! ??

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme