Teknologjia po “vret” gjuhën, maturantët probleme me shqipen

17:47 | 19 Shkurt 2020
Arditë Shkodra

Varësia nga telefoni dhe mbajtja larg e librave po dëmton formimin e të rinjve. Mangësitë më të mëdha janë në gjuhën shqipe.

Nxënësit nuk arrijnë të riprodhojnë një tekst të lexuar më parë, kanë mungesë shprehish dhe fjalori. Në këtë përfundim kanë dalë specialistët e Ministrisë së Arsimit pas analizës së kryer te matura 2019.

“Nëse ata shpenzojnë shumë kohë në rrjetet sociale dhe shkruajnë pak, sigurisht që kjo është një dobësi që do të shfaqet edhe në maturën shtetërore. Po ashtu, ata lexojnë pak. Kjo dallohet në korrigjimin e pyetjes ‘ese’, ku vihet re një varfëri në fjalor, strukturat e fjalive janë shumë të varfra, sintaksa e tyre, në shumë raste, është e cenuar. Pra, vëmë re fjali të thjeshta, të cilat tregojnë për mënyrën e thjeshtë të të menduarit. Nga ana tjetër, kanë vështirësi edhe në kuptimin e elementëve të caktuar të tekstit”, shprehet Rezana Vrapi, drejtore në Qendrën e Shërbimeve Arsimore.

6,4 është nota mesatare në gjuhën shqipe dhe letërsi, e përafërt me atë të matematikës. Ndërsa në gjuhët e huaja, të rinjtë rezultojnë me notë mesatare 7,4.

Ajo që u vu re në maturën e kaluar është se vajzat janë me rezultate më të mira se djemtë, ndërkohë që asnjë nxënës nuk mori pikët maksimale në provimin e gjuhës.

Por çfarë duhet të bëjnë nxënësit dhe mësuesit për të ndryshuar situatën? “Maturantët duhet të tregojnë aftësitë e tyre në riprodhimin e materialeve të teksteve. Përqindja e maturantëve në nivelin e lartë të arritjeve, veçanërisht në gjuhën shqipe dhe letërsi, mbetet e ulët”, shprehet Vrapi.

Këtë vit do të jetë më e vështirë për t’u marrë nota 5, pasi pragu i kalueshmërisë rritet nga 12 në 15 pikë./a2

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme