Google ADS

U vetëvra në nëntor me armën e babait, zyrtar policor, Mjekësia Ligjore “fshehë” rezultatet e autopsisë

08:04 | 19 Shkurt 2020
Arbresh.info

Në nëntor të vitit të kaluar konkretisht me datën 26.11.2019, rreth orës 17:30, është gjetur i vdekur në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, një person i moshës 20 vjeçar, por Mjekësia Ligjore ende nuk i ka dërguar Prokurorisë Themelore të Mitrovicës rezultatet e autopsisë.

Burimet e arbresh.info, bëjnë të ditur se ky është djali i njërit prej hetuesve të krimeve Ekonomike  në Policinë e Kosovës F. Z, dhe dyshohet se vetëvrasja është kryer nga armën e tij.

Lidhur me këtë rast, Arbër Beka, zëdhënës në Inspektoratin Policorë të Kosovës, ka thënë se në mungesë të elementeve të veprës penale rasti është duke u trajtuar në Policinë e Kosovës në koordinim me prokurorinë kompetente.

“Ju njoftojmë se lidhur më rastin në fjalë (i cilësuar si vdekje e dyshimtë), i cili ka ndodhur më datën 26.11.2019 në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, në mungesë të elementeve të veprës penale rasti është duke u trajtuar në Policinë e Kosovës në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen ë kësaj zyre.

Ndërsa ka shtuar se për detaje shtesë ju lutem e kontaktoni Policinë e Kosovës apo prokurorinë kompetente.

Arbresh.info, po ashtu ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës, ku nga kjo zyre thuhet se për më shumë mund t’i referoheni organeve të drejtësisë.

“Në vijim keni informacionin për rastin në fjalë ku PK-ja, e ka bërë publike përmes Raportit 24 orësh, për më shumë mund t’i referoheni organeve të drejtësisë”, thuhet nga kjo zyre.

 Raporti i Policisë së Kosovës:-

“VDEKJE E DYSHIMTË

“Vushtrri 26.11.2019 – 17:15. Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se në dhomën ndejës së shtëpisë së tij kishte gjetur të shtrirë në dysheme pa shenja jete djalin e tij viktimën mashkull K/Shqiptar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante  policore, ekipi mjekësor i cili e ka konstatuar vdekjen e viktimës dhe prokurori i shtetit. Në vendin e ngjarjes është gjete dhe konfiskuar arma – pistoleta me të cilën dyshohet se kishte kryer aktin viktima, një gëzhojë dhe një predhë. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”.

Ndërkaq, lidhur me këtë Valon Preteni, zyrtar për Informim dhe Monitorim të Mediave në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, ka thënë se rezultatet e autopsisë së trupit të pajetë nuk kanë ardhur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe deri sa të arrihen rezultatet nuk mund të themi asgjë më tepër për këtë rast.

“Rezultatet e autopsisë së trupit të pajetë të personit në fjalë nuk kanë ardhur ende nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, dhe deri sa të arrijnë rezultatet nuk mund të themi asgjë më tepër për këtë rast”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre./E.Ballazhi/arbresh.info/

Të ngjashme