Google ADS

Kina raporton se ka rënë numri i rasteve të reja me koronavirus

14:41 | 16 Shkurt 2020
Arbresh.info

Kina ka raportuar për të ditën e tretë me radhë se rastet me virusin e ri kanë rënë edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ende nuk dihet se si do të zhvillohet më tej situata lidhur me koronavirusin e ri.

Autoritetet kineze thanë më 16 shkurt se vetëm brenda një dite 142 persona kanë vdekur nga koronavirusi i ri, duke e çuar numrin e personave të vdekur në Kinë në 1,665.

Masat që ka ndërmarrë Kina për të parandaluar përhapjen e koronavirusit po japin rezultate, tha Mi Feng, zëdhënës në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë.

Vetëm brenda një dite 2,009 persona janë infektuar me koronavirusin e ri, duke bërë që në total, 68,500 persona të prekur me virusin, që është emëruar COVID-19.

Numri i rasteve të reja është më i vogël, nëse krahasohet me tre ditë më parë, ku ishin raportuar 15,000 raste të reja. Kina ka nisur të zbatojë masa të reja për të diagnostifikuar të prekurit në provincën Hubei, që konsiderohet si epiqendra e shpërthimit të koronavirusit të ri.

Po ashtu, 9,419 persona janë shëruar dhe janë liruar nga spitali, thanë autoritetet kineze.

Në nivel botëror, numri i të prekurve me virus është 69,000 dhe vetëm katër vdekje janë shënuar jashtë Kinës, një në Hong Kong, Japoni, Filipine dhe Francë.

Pavarësisht se numri i rasteve të reja ka rënë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se “është shumë herët” të bëhen parashikime se si do të rrjedhë e gjithë situata lidhur me virusin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme