Google ADS

Rrjeti i amortizuar shkrumboi godinën, 20 familje mbesin pa shtëpi

20:01 | 15 Shkurt 2020
Arbresh.info

Çdo gjë është shkrumbuar, në këtë godinë ka mbetur vetëm hiri dhe muret. Zjarri që ra të premten në ish-konviktin e shkollës veterinere në lagjen “Kiras” të Shkodrës ka lënë pa strehë 20 familje të varfra.

Banorët thonë se nuk e braktisin godinën se nuk kanë mundësi ekonomike të strehohen vetë.

“Kështu do rrimë, s’kemi çfarë të bëjmë. Këtu janë strehuar një shtresë shumë e varfër, po të ishim më mirë nga gjendja ekonomike nuk kishim ardhur këtu. Këtu ka familje që kanë listën me borxhe prej 6 muajsh në dyqane”.

Dëmet materjale siç shihet dhe nga pamjet janë të shumta. Banorët po pastrojnë vetë mbeturinat.

“Dje kanë ardhur zjarrfikëse, policia etj, sot askush s’ka ardhur të flasë me ne”.

Gjergj Mhilli thotë se është ndër banorët më të vjetër dhe për të transformuar banesën e tij ka investuar shumë para. Tani gjithçka është kthyer në hi.

“Vetëm unë si familje kam hedhur 15 milion lekë, tjetri ka hedhur 30 milion lekë vetëm meremetim për shtëpinë”.

Zjarri i rënë në konviktin e ish-shkollës veterinere ditën e premte u shkaktua si pasojë e shkëndisë elektrike nga rrjeti i amortizuar.

Ndërhyrja e zjarrfikësve të ndihmuar edhe nga vetë banorët, ka bërë që zjarri të mos përhapet, në banesat përreth, por kjo godinë vështirë se mund të rikuperohet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme