Google ADS

Emmanuel Macron jep sinjale pozitive për hapjen e negociatave me Shqipërinë

15:14 | 15 Shkurt 2020
Arbresh.info

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron duket se nuk është me aq skeptik në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Shefi i Elyses është shprehur gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Sigurisë që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë se është gati  të mbështesë procesin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

“Ne po presim raportin në Mars, në varësi të faktit se nëse rezultatet janë pozitive dhe fitohet besimi, atëherë ne do të mbështesim hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” –theksoi Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Më tej, kreu i Francës theksoi se ka një shqetësim nga ndikimi kinez dhe rus në gjashtë shtetet që aspirojnë të anëtarësohen në bllok si Serbia, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut, ndaj theksoi ai është e gabuar t’i bllokosh këto shtete në rrugën e Bashkimit  Europian

Këtë muaj, Komisioni publikoi metodologjinë e re të zgjerimit, bazuar në propozimin francez, që parashikon edhe ngrirjen e negociatave nëse vendet aspirante nuk shënojnë progres.

Gjatë tetorit të vitit të shkuar, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, theksoi se para se Bashkimi Europian të fokusohet tek zgjerimi, duhet pikë së pari të punojë fort për reformimin e vetë BE-së, duke paralajmëruar edhe ndryshimin të metodologjisë për vendet kandidate për në union.

Tashmë duket se kjo qasje e Francës ka ndryshuar dhe Macron la të kuptohet nga Konferenca  për Sigurinë në Mynih të Gjermanisë se ai nuk do të “luajë” rolin e bllokuesit për aspiratat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme