Haxhiu: Shoqëria civile do të përfshihet në iniciativat për hartimin e dokumenteve të MD-së

17:34 | 13 Shkurt 2020
M. A.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, edhe sot, priti në takim një grup të gjerë të përfaqësuesve të shoqërisë civile të cilët janë të përshirë në trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Gjatë këtij takimi Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë do të jetë transparente dhe bashkëpunuese me shoqërinë civile, duke ua mundësuar kështu përfshirjen e tyre në iniciativa të hartimit të të gjitha dokumenteve të politikave që janë përgjegjësi e MD-së.

Ajo deklaroi se mbikëqyrja e punës nga shoqëria civile, do të rriste përgjegjësinë, profesionalizmin dhe performancën e Ministrisë së Drejtësisë.

“Së bashku me përfaqësuesit e shoqërisë civile, ministrja Haxhiu ka diskutuar për legjislacionin që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, procesin e Vetingut që është trajtuar në kuadër të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, hulumtimin dhe adresimin e krimeve të luftës, politikat në fushën e të drejtave civile, çështjet pronësore dhe të drejtat e njeriut, respektivisht fushën e ekzekutimit të sanksioneve penale”, shkruhet në njoftimin e MD-së.

Ndërsa përfaqësuesit e këtyre organizatave falënderuan ministren për angazhimin e saj ndërsa kërkuan nga Ministria e Drejtësisë të trajtojnë me kujdes hartimin e politikave nga ky institucion.

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme