Rama tregon se çfarë bisedoi me Kurtin në Tiranë

11:15 | 11 Shkurt 2020
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke zhvilluar vizitën e parë zyrtare në Shqipëri me ç’rast është pritur me ceremoni shtetërorë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Pas takimit ata kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për medie.

Në fjalën e tij kryeministri shqiptar tha se me Kurtin në takimin e sotëm kanë pasur një komunikim të hapur sa i përket marrëdhënieve dhe bashkëpunimet të dy vendeve.

“Më vjen mirë që kemi pasur një komunikim të hapur të rëndësishëm intensiv për ku jemi dhe ku duam t’i qojmë marrëdhëniet tona duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim të plotë reciprokisht”, ka thënë Rama.

Rama tutje tha se kanë rënë dakord se do fillojnë përgatitjet sa më shpejt për mbledhjen e dy qeverive e cila do të mbahet në Shkodër.

“Kemi rënë dakord të fillojmë sa me shpejt përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive e cila do të mbahet në Shkodër, një vakum mes dy mbledhjeve na imponon që të bëjmë mbledhje sa më produktive jo vetëm kaq por gjitha hapësirat do të vendosim në funksion një komision ndërshtetëror të përbërë nga ministra dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve, dhe për t’i adresuar mbledhjeve të dy qeverie ne funksion qoftë arritjeve qoftë për vendimmarrje, tjera”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar tha se në takimin që  mbajti me Kurtin kanë diskutuar edhe për procesin e Berlinit.

“Kemi diskutuar me kryeministrin edhe për procesin e Berlinit dhe do të vazhdojmë të flasim për të harmonizuar veprimet dhe hapat në funksion të nismës për implementimin e katër lirive themelore të Bashkimit Evropian në rajonin tonë dhe për ne bashkëpunimi me Kosovën mbetet prioritet”, tha kryeministri shqiptar.

Sipas tij Kosova dhe Shqipëria duhet të realizojnë lëvizjen e lirë të mallrave.

“Për mua nëse nuk realizojmë lëvizjen e plot të lirë të njerëzve, të mallrave nuk kemi kryer detyrën tonë ndaj të ardhmes dhe njerëzve tanë, është themelore qe të jemi të gatshëm dhe të qartë në çdo hap për të hequr kufirin mes dy shteteve”, tha ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fund të fjalimit tha se do të jenë qind për qind në mbështetje të Kosovës në gjithë betejën për të çuar para procesin e njohjes së plotë si një shtet sovran dhe demokratik në të gjitha instancat./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme