Google ADS

Rusia e gatshme për shkëmbimin e ambasadorëve me Ukrainën

15:08 | 10 Shkurt 2020
Arbresh.info

“Vendet tona, edhe në kushtet aktuale janë të ndërlidhura fort në ekonomi, transport, çështje humanitare dhe lidhjet familjare”, tha Lavrov.

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të shkëmbejë ambasadorë me Ukrainën.

Siç raporton e përditshmja ruse “Rossiyskya Gazeta”, shefi i diplomacisë ruse tha se, “Pala ukrainase tërhoqi ambasadorin, kërcënoi me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. Tani, dikush përmendi mundësinë e vendimit të (presidentit ukrainas, Volodymyr) Zelensky për të kthyer ambasadorët. Ne do të jemi mirë me atë”.

Pavarësisht tensioneve, tha Lavrov, të dyja vendet janë të ndërlidhura fort.

“Vendet tona, edhe në kushtet aktuale janë të ndërlidhura fort në ekonomi, transport, çështje humanitare dhe lidhjet familjare. Dhe, natyrisht, është e paarsyeshme të ngrihen vazhdimisht disa pengesa, tani për udhëtimet ajrore, transportin hekurudhor dhe thjesht për komunikimet”, tha Lavrov.

Duke iu referuar marrëdhënieve midis Rusisë dhe NATO-s, Lavrov tha se Moska është e shqetësuar për stërvitjen e planifikuar ushtarake “Defender Europe 2020”, vendosjen më të madhe të forcave amerikane në Evropë për një stërvitje në më shumë se 25 vjet.

Lavrov vë në dyshim pretendimin e NATO-s se stërvitja nuk është kundër Rusisë.

“Për sa i përket shpenzimit ushtarak, pajisjet, tanket, avionët ushtarakë, helikopterët sulmues, automjetet luftarake të këmbësorisë, mjetet e blinduara, anijet luftarake e nëndetëset, vetëm anëtarët evropianë të NATO-s, pa marrë parasysh numrin e amerikanëve, tejkalojnë më shumë se dy herë numrin e forcave tona të armatosura”, theksoi Lavrov.

“Ku gjetën një kundërshtar të krahasueshëm, nuk e di. Sigurisht, Rusia nuk është forca ushtarake mbizotëruese në Evropë. Është NATO”, shtoi Lavrov.

Më tej, Lavrov kritikoi nismëm e “Shengenit ushtarak” në kontekstin e bashkëpunimit ushtarak të NATO-s me Bashkimin Evropian (BE), që nënkupton modernizimin e të gjitha arterieve të transportit deri në kufirin lindor të aleancës, në mënyrë që çdo pajisje kryesore ushtarake të kalojë lirshëm në lindje.

“Natyrisht, ne do të reagojmë. Ne nuk mund t’i injorojmë proceset të cilat provokojnë një shqetësim të madh. Por, ne do të reagojmë në një mënyrë që nuk krijon rreziqe të panevojshme”, u shpreh Lavrov.

Përderisa NATO-ja vazhdon të lëvizë drejt lindjes, shtoi Lavrov, Washingtoni planifikon të vendos raketa bërthamore me rreze të ndërmjetme në rajonin e Azizë-Paqësorit, përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut.

“Distancat gjeografike janë të tilla që nëse vendosen raketa amerikane me rreze të mesme dhe të shkurtër në këto pika, një pjesë e konsiderueshme e territorit të Rusisë do të jetë nën sulm, edhe në rastin e Japonisë edhe në atë të Koresë, i gjithë territori ynë deri në malet Ural”, tha Lavrov./aa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme