Google ADS

Maqedoni: “Mitmarja”, celularët e katër policëve dërgohen për ekspertizë

22:08 | 7 Shkurt 2020
Arbresh.info

Prokuroria Publike ka urdhëruar ekspertizën e celularëve të katër policëve edhe pse ata kanë qenë të ftuar në cilësinë e dëshmitarëve për rastin “Mitmarja” një ditë më parë në Prokurori. Sipas organit të akuzës, katër policët janë ftuar në Prokurori për shkak se në kohën kur ish kryetari i Strumicës, aktualisht lider i LSDM-së Zoran Zaev ka qenë nën masa të veçanta hetuese, ata kanë qenë përgjegjës për zbatimin e tyre.

“Policët ishin përgjegjës në kohën e zbatimit të masave në vitin 2014. Është marr dëshmia e tyre dhe i janë marr celularët. Është lëshuar urdhëresë për ekspertizën e aparateve telefonike, në ndërkohë në procedurën e mëtejme do të ftohen edhe persona të tjerë, dëshmia e të cilëve do të ndihmojë në zbardhjen e asaj se si arriti që incizimi i siguruar me masa të veçanta hetuese të publikohet në media”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë Publike.

Procedura para-hetimore zhvillohet mbi dyshimet për “shpalosjen e sekretit zyrtar”. Kryeministri teknik, Oliver Spasovski nuk ka komentuar ftesën e policëve në Prokurori për ndjekjen e veprave penale të kryera nga zyrtarë policorë. Pretendimet se policët e thirrur në Prokurori janë nga ekipi i ministrit të Brendshëm Teknik, janë hedhur poshtë nga vetë Naqe Çulev. Sipas tij, bëhet fjalë për policë të cilët janë ftuar me urdhër të gjykatësit të procedurë paraprake dhe se spekulimet burojnë nga struktura të LSDM-së. Incizimi i cili është publikuar më 15 janar në mediat online përfshirë metrazhin e plotë të masës hetuese nga takimi i Zaev me biznesmenin Ivo Nikollov Siçevaliev.

Motivet e publikimit kanë të bëjnë me, siç pretendojnë media online jo profesionale, shpalosjen e fytyrës së vërtetë të Zoran Zaevit dhe përcaktimet e tij për ndërrimin e emrit dhe anëtarësimin në BE për tre arsye të cilat i përmend në incizim: zhvillimin ekonomik, mos ndarjen e shtetit nga shqiptarët dhe hapjen e kufijve me Greqinë dhe Bullgarinë. Në vitin 2015 kur Zaev në cilësinë e liderit të opozitës kishte filluar projektin “E vërteta për Maqedoninë” duke publikuar skandalin me përgjimet, ishte publikuar edhe video nga zyra e kryetarit të Strumicës në të cilën Zaev nga biznesmeni i lartpërmendur kërkon “1 euro për kishën dhe 1 për Vicen”./Alsat/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme