Haziri: LDK-VV arritën marrëveshje pa ndërmjetësim ndërkombëtar

18:58 | 7 Shkurt 2020
A. B.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ka qenë shumë i angazhuar në negociatat e gjata që të arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kanë qenë 10 ditë që unë nuk kam marrë pjesë, por në këto ditë ka qenë vetëm një takim i mbajtur te Universiteti Amerikan. Në të gjitha takimet e tjera kam qenë prezent, por këto kanë qenë arsye personale dhe shëndetësore”.

“Kam qenë me intensitet të lartë i angazhuar në ekip për ta përmbyllur pjesën e marrëveshjes. Natyrisht, derisa nuk nënshkruhet nga liderët është trajtuar gjithmonë si pjesë e negociatave të cilat kanë qenë jashtëzakonisht intensive”.

Haziri që dikur shihej si një ‘anti-hero’ i koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje u shndërrua shpejt në ‘heroin’ e arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje – kur një gjë e tillë rrezikohej seriozisht të mos ndodhte.

Ndonëse u cilësua si një nga njerëzit kyç që e ndërtoi koalicionin VV-LDK, Haziri në Info Magazine ka thënë se meritat i takojnë ekipit të LDK-së dhe Isa Mustafës.

“Në radhë të parë dua të nënvizoj që ka qenë ekipi dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa që ka udhëheqë me këtë proces jashtëzakonisht të vështirë. Unë kam qenë njëri prej tyre, njëri prej pesë anëtarëve të rregullt që ka punuar në këtë drejtim. Në fazën e parë kemi punuar në ndërtimin e draftit të parë – shkrirjes së politikave sektoriale dhe ideologjike. Nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë një proces ku përfshiheshin edhe teknokratët dhe ekspertët që të arrihej draftimi i marrëveshjes dhe arritjen në pika tona të përbashkëta”.

“Ajo që doli më e vështira dhe që njerëzit e kanë pritur më shpejt është arritja e marrëveshjes politike në ndarjen e përgjegjësive kushtetuese, në përfaqësim. Nuk ka qenë e lehtë, madje as unë nuk kam pritur që të jetë e lehtë”.

Haziri ka rrëfyer se cila ishte formula që e bindi Lëvizjen Vetëvendosje që të tërhiqej nga pozicioni për kryeparlamentarin.

“Në fund kishte takime më të domosdoshme. Në vullnet politik për të arritur një qëllim duhet të ofrohen kompromise dhe pragmatizëm politik. Ne nuk mund të thirremi vetëm në kulturë politike properëndimore, në të cilën krejt zotohemi, nëse nuk e praktikojmë vlerën e kësaj kulture që është kompromisi dhe pragmatizmi për të arritur qëllimet politike”.

“Në takimin e fundit ishim unë dhe Vjosa Osmani bashkë me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe Besnik Bislimin. Nuk ishte takim i programuar më herët, por vullneti për të biseduar dhe të shtjerrim të gjitha format e diskutimit ka qenë ajo që na ka ulur në tavolinë dhe të flasim”.

Ai ka deklaruar se LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur koalicion pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve që, sipas tij, një gjë e tillë ka ndodhur shumë rrallë në Kosovë.

“Më lejoni ta konfirmoj se është prej herëve të rralla që në Kosovë, pas luftës, është arritur marrëveshje politike [LDK-VV] pa ndërmjetësim ndërkombëtar dhe lehtësues as të jashtëm dhe as të brendshëm”.

Madje, ai ka insistuar se as zyrtarët e lartë ndërkombëtarë – përfshirë edhe të Dërguarin e Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Richard Grenell – dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it nuk kanë bërë presion dhe nuk kanë ndërhyrë në arritjen e kësaj marrëveshje.

“Asnjë rol nuk e kanë pasë. Kanë konfirmuar neutralitet, paanësi dhe roli i tyre si diplomat dhe përfaqësues të shteteve mike. Nuk kanë pasë ndërhyrje, vullneti për të ndërtuar qeveri pas 6 tetorit ka qenë i vazhdueshëm deri në shkallën e presionit politik. Nuk ka qenë presion i padurueshëm, por ka qenë presion për të mos lejuar vonesa”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme