Merret vendimi për policët që u arrestuan për marrje ryshfeti

17:47 | 7 Shkurt 2020
A. B.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.O për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit dhe marrja e ryshfetit, të pandehurit L.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit, marrja e ryshfetit dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe kundër të pandehurit D.H për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurve L.O, L.M dhe D.H iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç, duke filluar prej datës 05.02.2020 deri me datë 05.03.2020.

“Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është caktuar pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjenden të pandehurit në liri mund të fshihen, të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe mund të jenë të paarritshëm për organet e ndjekjes. Të pandehurit L.O dhe L.M në cilësinë e personave zyrtarë – zyrtar të Policisë së Kosovës, me detyrë në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dyshohen nga Prokuroria se kanë kryer veprat penale si më lartë”, thuhet në komunikatë.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme