Manastirliu: Nga pesë raste të dyshuara, nuk rezulton asnjë i prekur me koronavirusin e ri

14:17 | 7 Shkurt 2020
Arbresh.info

“Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të koronavirusit të ri dhe vendi ynë vijon të mbetet vend me rrezikshmëri të ulët.

Nga testimi i pesë rasteve të dyshuara që kanë patur një histori udhëtimi në Kinë, analizat rezultuan negative”.

Task- Forca e strukturave shëndetësore dhe ekspertëve, e drejtuar nga Ministrja Ogerta Manastirliu, në mbledhjen e tretë publike, ka raportuar për masat marra në vijim për parandalimin dhe kontrollin e koronavirusit të ri. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manasttirliu deklaroi se po vijohet forcimi i survejancës dhe masat paraprake për parandalimin e koronavirusit të ri.

“Shqipëria vijon të mbetet me rrezikshmëri të ulët, megjithatë ne po vijojmë me masat paraprake dhe trajnimet kaskadë, ku deri tani janë më shumë se 200 mjekë dhe personel shëndetësor i trajnuar për menaxhimin e rasteve potenciale të koronavirusit të ri”, tha Manastirliu.

Gjatë raportimit të masave të marra, drejtuesja e departamentit të epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha se është mundësuar diagnoza laboratorike dhe testimi për koronavirusin mund të kryehet në laboratorin e Virologjisë në ISHP me nivel biosigurie dhe i çertifikuar ngga OBSH, ndërsa më tej do të specifikohet edhe diagnoza e koronavirusit të ri.

“Është mundësuar që diagnoza laboratorike të kryhet në laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik dhe brenda javës së dytë të muajit Shkurt 2020 do të mundësohet kryerja e diagnozës së plotë të koronavirusit të ri human”, tha Bino.

Drejtuesja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo, u shpreh se janë menaxhuar me sukses pesë raste të dyshuara që kanë patur një histori udhëtimi në Kinë, nga të cilat dy kanë rezultuar grip dhe asnjëri nuk ka patur koronavirus.

Gjatë kësaj kohe ka një rënie të fluksit të udhëtimeve me destinacion Kinën. Megjithatë çdo udhëtar që vjen nga ky destinacion kontrollohet në pikat kufitare. Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar nga strukturat shëndetësore në pikat kufitare ajrore, detare dhe tokësore 110 shtetas që kanë udhëtuar në Kinë dhe asnjë nga këta udhëtarë nuk ka paraqitur shenja klinike të koronavirusit të ri në momentin e vlerësimit në nivel kufitar.

Në vijim të masave të marra, në Task Forcë u raportua se janë marrë masat për sigurimin e logjistikës dhe mjeteve të nevojshme si dhe menaxhimit të rastit, sipas protokolleve ndërkombëtare.

Aktualisht janë mbi 31 mijë raste me koronavirusin e ri, të konfirmuara; 637 vdekje dhe janë të prekura 26 vende të Botës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme