Shtetet e Bashkuara të Amerikës shohin tek Kryeministri Rama një aleat kyç në përpjekjet për zgjidhjen e konflikteve dhe ruajtjen e paqes globale në të gjithë botën”.
Ky ishte thelbi i fjalimit të mbajtur ditën e enjte, nga ambasadori amerikan në Këshillin e Sigurimit të OKB, në të cilin Kryeministri Rama ishte i pranishëm në cilësinë e presidentit të OSBE.
Për Uashingtonin, presidenca e Shqipërisë do të jetë vendimtare në qetësimin e krizës në Ukrainë si dhe në disa vende të tjera delikate në Europën lindore, përfshi Osetinë dhe Abkazinë në Gjeorgji, Nagorno-Karabakun, enklavën armene në Azerbajxhan apo Transnistrinë në Moldavi.
“Kryeministër Rama, është një nder që t’iu kemi sot në këtë sallë dhe faleminderit për përmbledhjen tuaj. Të drejtat e njeriut, demokracia, paqja dhe ruajtja e stabilitetit rajonal kanë një rëndësi vitale për të gjithë ne, por këto nuk mund të zbatohen pa përpjekje konkrete. Kjo e shndërron OSBE në një partner kyç në promovimin e këtyre vlerave, e gjithashtu plotëson përpjekjet e këtij Këshilli për të adresuar shqetësimet e sigurisë globale”, theksoi ambasadori amerikan gjatë fjalës.
Një rol specifik, Shqipëria duhet të ketë në garantimin e aksesit dhe lirisë së veprimit të misionit të posaçëm të monitorimit në Ukrainë.
Disa nga pikat kyçe të vendosura nga Kryeministri Rama, si president i përkohshëm i OSBE-së është negocimi i zgjidhjes së konflikteve, demilitarizimi dhe kontrolli i armëve, si dhe promovimi i të drejtave dhe punësimit të grave, si në zonat e konfliktit, ashtu edhe brenda strukturës së OSBE.
Fjala e plotë e ambasadorit amerikan:
Faleminderit zoti President
Kryeministër Rama, është një nder që t’iu kemi sot në këtë sallë dhe faleminderit për përmbledhjen tuaj
Të drejtat e njeriut, demokracia, paqja dhe ruajtja e stabilitetit rajonal kanë një rëndësi vitale për të gjithë ne, por këto nuk mund të zbatohen pa përpjekje konkrete. Kjo e shndërron OSBE në një partner kyç në promovimin e këtyre vlerave, e gjithashtu plotëson përpjekjet e këtij Këshilli për të adresuar shqetësimet e sigurisë globale.
Përballemi me një tërësi sfidash që kërcënojnë sot instituconet demokratike. Lufta kibernetike dhe fushatat e disinformimit, përfshi përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të treta kërcënojnë thelbin e shoqërive të lira dhe të drejta. Shtetet dhe liderat autoritarë që shpërfillin të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e qytetarëve të tyre, përfshi të drejtën e fjalës, grumbullimit, protestave paqësore si dhe lirinë e besimit, gjithashtu shpërfillin sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve fqinje.
Kryeministër, ne e vlerësojmë angazhimin e OSBE për të luftuar këto sulme mbi liritë dhe sfidat e bashkëlidhura gjatë presidencës suaj. Si një anëtar dhe kontributori më i madh në financa dhe njerëz në OSBE, Shtetet e Bashkuara po nxisin avancimin e të gjithë dimensioneve të punës së OSBE. Ne inkurajojmë progresin drejt një përditësimi gjithëpërfshirës të Dokumentit të Vienës, për të rritur transparencën ushtarake dhe për të rindërtuar besimin midis 57 anëtarëve të OSBE.
Ne gjithashtu mirëpresim një fokus të zgjeruar të OSBE mbi korrupsionin dhe llogaridhënien. Disa nga vendet anëtare të OSBE nuk kanë respektuar angazhimet e tyre ose kanë përzgjedhur të respektojnë në mënyrë selektive angazhimet për kontrollin e armëve. Për të adresuar këto dështime, nevojitet një lidership kreativ dhe kurajoz, në gjendje për të udhëhequr një dialog të strukturuar mbi çështjen e sigurisë.
Askund tjetër nuk është prezenca e OSBE-së më e rëndësishme se sa në Ukrainë. Agresioni rus ende në vijim ka shkaktuar vdekjen e mbi 13 mijë personave dhe zhvendosjen e 1.4 milionë të tjerëve, e ka lënë 3.4 milionë të tjerë në nevojë për ndihmë humanitare. Ky agression përbën sfidën më të rëndë ndaj sigurisë europiane që prej fundit të Luftës së Ftohtë.
Ne jemi të inkurajuar nga progresi i vënë re së fundmi, përfshi shkëmbimi i të burgosurve rus dhe ukrainas, si dhe nga puna për të përmirësuar kushtet humanitare. Ky progres është arritur falë angazhimit të jashtëzakonshëm të Presidentit Zielinski drejt arritjes së një zgjidhje paqësore.
Megjithate ne kemi nevojë të shohim shumë më tepër nga Rusia, e cila vijon të shpërfillë thirrjet për një armëpushim gjithëpërfshirës. Rusia nxiti këtë konflikt dhe vijon të armatosë, stërvisë, udhëheqë, financojë dhe luftojë përmes njësitë e saj besnike në Ukrainën Lindore. Duhet që menjëherë të zbatojë marrëveshjen e Minskut, tërheqë forcat e saj dhe të mbështesë një demilitarizimin e mëtejshëm, zgjerojë pikat e kalimit dhe të respektojë sovranitetin ukrainas si në Ukrainën Lindore, ashtu edhe në Krime.
Në rrethana të tilla kaq të vështira jemi krenarë për punën e zhvilluar nga OSBE në Ukrainë, përfshi misionin special të monitorimit (MSM) dhe vlerësimet e tij thelbësore për situatën në terren. Ne i bëjmë thirrje Rusisë dhe njësive të saj që të rreshtin së penguari punën e monitoruesve të MSM, duke i lejuar akses dhe liri të plotë për të përmbushur mandatin e OSBE-së.
Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht sovranitetin e Ukrainës, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, në përputhje me kufinjtë e njohur ndërkombëtarisht, përfshi kufinjtë detarë. Ne nuk njohim dhe as do të njohim ndonjëherë aneksimin e dhunshëm të Krimesë. Ne i bashkohemi partnerëve tanë europianë në konfirmimin se sanksionet e lidhura me Krimenë do të vijojnë të jenë në fuqi deri sa Rusia të zbatojë plotësisht angazhimet e saj të Minskut. Sanksionet tona të lidhura me Krimenë do të vijojnë të jenë në fuqi deri në momentin kur Rusia të kthejë plotësisht kontrollin e Krimesë në duart e Ukrainës.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë pushtimin e Abkazisë dhe Osetisë Jugore, që janë pjesë e Gjeorgjisë. Veprimet e Rusisë bien ndesh me angazhimet e saj ndërkombëtare dhe dhunojnë sovranitetin e Gjeorgjisë, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial në përputhje me kufinjtë e njohur ndërkombëtarisht. Edhe pse Rusia merr pjesë në tavolinën e negociatave 5+2 në Transnistri, ajo nuk ka përmbushur angazhimet e Stambollit të vitit 1999 për të tërhequr forcat e saj nga Moldavia. Në vend të kësaj, Rusia ka mbështetur zgjatjen e vazhdueshme të konfliktit për të penguar zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm, për të ngadalësuar gravitacionin e rajonin drejt institucioneve europiane dhe transatlantike.
Ne presim që të punojmë me OSBE-në për zgjidhjen e këtyre konflikteve, përfshi diskutimet ndërkombëtare të Gjenevës dhe bisedimet 5+2. Ne falenderojmë kryesinë e OSBE dhe vendet drejtuese për mbështetjen e procesit të Minskut, ku Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Franca po punojnë në mënyrë produktive si bashkëkryetare për të negociuar një marrëveshje për konfliktin e Nagorno-Karabakhut.
Siç theksova në fillim të fjalës sime, respektimi i të drejtave të njeriut, demokracisë, shtetit ligjor, paqes dhe stabilitetit kërkojnë përpjekje aktive. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj këtyre përpjekjeve dhe do të vazhdojnë të punojnë ngushtësisht me OKB-në dhe OSBE-në për të forcuar principet që ruajnë shtetet e lira si në rajonin e OSBE, ashtu edhe anembanë globit. Faleminderit!/TCH
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...