Biondja me syze të zeza e OFL, Breçani: Ka thyer rregulloren e brendshme të policisë

23:28 | 6 Shkurt 2020
Trina Galanxhi

Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani ka deklaruar këtë mbrëmje në emisionin “Opinion” se efektivja e OFL e cila del në deklaratat për mediat, ka thyer rregulloren e disiplinës.

Kjo sipas tij pasi nuk lejohet që të dalë para mediave dhe publikut me syze, detaj ky që ka tërhequr mjaft vëmendje, aq sa për të hulumtuar dhe për të zbuluar identitetin e saj.

“Nga ana ligjore, në asnjë mënyrë nuk lejohet që të publikohen identitetet e personave që kryejnë operacionet speciale, që janë Forcat Speciale të RENEA dhe Forca e Posaçme e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë dy forcat që lejohen të mbajnë maskë, por vetëm gjatë operacionit dhe pas operacionit.

Në asnjë mënyrë nuk fshihet identiteti i Forcave Speciale në media dhe në asnjë vend nuk e ka të shkruar me ligj që fshihet identiteti, vetëm gjatë operacioneve.

Për rastin konkret kjo ka thyer edhe rregulloren e brendshme të Policisë së Shtetit, rregulloren e disiplinës, sepse ka një zëdhënëse për shtyp…”.

Por argumentit të Breçanit i është përgjigjur avokati Plarent Ndreca i cili shprehet se nuk është tamam kështu.

“ Ajo nuk është zëdhënësja e Policisë së Shtetit por është zëdhënëse e operacioneve të ndodhura këto ditë, është pjesë e OFL, është punonjëse dhe është pjesë e operacionit”.

Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala e ka pyetur drejtpërdrejtë avokatin Ndreca se përse i mbanë syzet e errët teksa del në para mediave.

“Të lutem, mund të na thuash se përse i mbanë syzet?”.

“Sipas meje, duke qenë në orët e para në pjesën që ne me ligj i themi sekuestro emergjente, sigurisht që ka pasur një risk të shtuar për anëtarët e këtij operacioni për identitetin e tyre dhe në ato ditë është mbajtur kjo qasje publike”, u shpreh ai.

“Kjo është të tallesh me publikun, sepse ju vetë e zbuluat identitetin”, ka replikuar Lala.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme