Google ADS

Inspektorati Policor jep detaje për arrestimin e hetuesve që dyshohen për ryshfet

09:39 | 6 Shkurt 2020
Arbresh Info

Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë detaje për aksionin “Ryshfeti”, i cili të mërkurën çoi në mbajtje dy zyrtarë të policisë

Përmes një komunikate për media, IPK’ja ka njoftuar se kishte pranuar informata se dy zyrtarë policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit mund të jenë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme.

“Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative duke përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit ndaj dy zyrtarëve policorë dhe një qytetari. Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura si dhe bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, mbrëmë në Prishtinë është realizuar operacioni koduar me emrin “Ryshfeti” i cili rezultoi me arrestimin në flagrancë të një zyrtari policor dhe një qytetari”, thekson IPK’ja.

Zyrtari policor L.O. zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq është arrestuar edhe zyrtari policor L.M. nën dyshimin se ka kryer tri vepra penale.

“Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni “Ryshfeti” ka vazhduar me bastisje në dy lokacione të ndryshme (një në Prishtinë dhe tjetri në Vushtrri) ku janë gjetur prova të konsiderueshme dhe është arrestuar edhe i dyshuari tjetër  – zyrtari policor me inicialet L.M (rreshter policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit). Rreshteri policor është arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve””, thekson IPK’ja.

Të arrestuarve në këtë rast nga Inspektorati Policor me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./arbresh.info

Të ngjashme