Kusari-Lila: Reciprociteti me Serbinë do t’i sjellë përfitime Kosovës

20:05 | 5 Shkurt 2020
Arditë Shkodra

Deputetja e VV’së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit do t’i sillte përfitime Kosovës, dhe do t’i largonte disa pengesa të Kosovës me shtetin fqinj.

 “Kur është vendosur taksa fillimisht 10 për qind e më pas edhe 100 për qind i kam rekomanduar Haradinajt reciprocitet dhe ai është dashur të t’i qartësojë synimet që ka dëshiruar të arrijë përmes saj”, u shpreh Kusari-Lila.

“Me reciprocitet nënkuptohet zgjidhja e problemit të shkëmbimit tregtar, verifikimi i malli. Serbia ka vendosur kushte shtesë për produktet që vijnë nga Kosova për të mos i pranuar ato që u referohen si Republika e Kosovës. Me reciprocitet përfshihet edhe lëvizja e lirë, problemet që ka Kosova për hyrje në Serbi siç janë targat e automjeteve. Ata që dëshirojnë të hyjnë duhet të pajisjen me targa të përkohshme. Gjithashtu njohja e diplomave, studentët që kryejnë studimet në Kosovë nuk mund të gjejnë punë me ato në Serbi. Pra, janë një mori gjërash”, tha ajo.

Deputetja tha se edhe pse vetë Serbia ka nënshkruar marrëveshjet në Bruksel nuk po i zbaton, prandaj ajo mendon që vendosja e reciprocitetit do ta dinamizonte më shumë procesin e dialogut.

“Është dinamizmi i dialogut sepse në momentin që i tregon Serbisë se cilat janë pengesat që për vetë faktin se ata kanë nënshkruar marrëveshje dhe që nuk i zbatojnë. Edhe shtetet anëtare të BE-së vendosin masa të tilla kur kanë probleme të ngjashme”, ka thënë ajo në Klan Kosova.

Kusari-Lila tha se prej taksës 100 për qind kanë përfituar kompani të caktuara e më së shumti vendet e tjera.

Tutje Kusari-Lila shtoi se për heqjen e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani, tha se nuk është dashur që në këto ditë të para të fokusohet vëmendja në këso tema dhe anashkalohen ato kryesoret.

“Fotografia e Thaçit s’ka qenë aty prej momentit kur Glauk Konjufca ka qenë aty. Ajo ka gjetur vendin e zbrazët dhe e kanë vendosur Rugovën. Mendoj që s’është mirë që me ditën e dytë të konsumohet me këto tema. Këto mund të evitohen nëse e kemi një qasje gjithëpërfshirëse. Kjo është bërë për shkak të qëndrimeve të mëhershme të Vetëvendosjes dhe debatet që kanë vazhduar. Kisha dashur të lëvizim në tema që sjellin efektin e mirëfilltë për jetën e qytetarëve”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme