Ankaraja kërkoi nga Bashkimi Evropian që të heqë “ndarjen artificiale” midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në politikat e zgjerimit të bllokut.
Thirrja është bërë në një letër që ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ia ka adresuar shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Letra, që është parë nga Radio Evropa e Lirë, është e datës 22 janar dhe nënvizon pikëpamjen e Turqisë ndaj politikës së zgjerimit të BE-së.
Ajo është shkruar para se Komisioni Evropian të publikonte metodologjinë e re të procesit të zgjerimit.
Kjo metodologji u publikua sot dhe u referohet vetëm vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE.
Cavusoglu ka shkruar në letër se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të trajtohen ndryshe nga Turqia.
“Të gjitha vendet duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Shpresojmë të shohim disa hapa pozitivë që do t’i jepnin fund ndarjes artificiale midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë gjatë mandatit tuaj”, ka shkruar Cavusoglu.
“Përveç faktit se Turqia është një vend i Ballkanit për shkak të historisë, kulturës dhe gjeografisë së saj, çdo vend kandidat duhet të gjykohet në meritat e tij dhe në rrethana të barabarta”, ka thënë Cavusoglu.
Turqia ka aplikuar për t’iu bashkuar Komunitetit Ekonomik Evropian – institucionit paraardhës të BE-së – në vitin 1987, ndërsa ka nisur negociatat për anëtarësim në BE më 2005.
Këto negociata kanë ngecur viteve të fundit, për shkak të kritikave të BE-së ndaj situatës me të drejtat e njeriut në Turqi dhe sundimit të ligjit atje.
Aktualisht, 14 nga 33 kapitujt e bisedimeve që Ankaraja duhet t’i mbyllë në mënyrë që të bëhet anëtare e BE-së, janë të ngrirë.
Për dallim, Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar më shumë se Turqia në bisedime, edhe pse ato i kanë nisur vetëm në dekadën e kaluar.
Cavusoglu ka thënë në letrën e tij se “populli turk sot beson shumë në projektin e BE-së, por shumica nuk i beson BE-së për shkak të standardeve të dyfishta dhe diskriminimit kundër Turqisë”./REL
Musliu në Köln të Gjermanisë: Përkrahja juaj është fitorja j...
Astrit Selmani gjen sërish golin dhe vazhdon me formë të lar...
Në prag të protestës së 26 nëntorit, Berisha: Nesër do të kr...
Ciolacu prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas s...
Kurti pret nesër në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Af...
Nesër nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pje...