Google ADS

Filipçe: Asnjë pacient nuk pret kurim për sëmundje malinje

14:49 | 4 Shkurt 2020
Arbresh.info

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka marrë pjesë në shënimin e 4 shkurtit, Ditës botërore të luftës kundër kancerit në një ngjarje të organizuar nga shoqata “Borka”.

Në deklaratë për mediat, ministri Filipçe u shpreh se në vitet e fundit është bërë një hap domethënës përpara në trajtimin, diagnostikimin dhe parandalimin e sëmundjeve malinje.

“Në 2 vitet e kaluara kanë filluar dhe përfunduar procese që nënkuptojnë se në vendin tonë nuk ka asnjë pacient që pret kurim për sëmundje malinje. Kemi 30 molekula të reja të terapisë më bashkëkohore, të gjitha këto barëra dhe terapi janë çertifikuar nga prodhuesit origjinal”, tha Filipçe.

Ai gjithashtu tha se e gjithë pagesa mbulohet nga shteti, ndërsa porositi se zbulimi i hershëm mund të nënkuptojë shërim të plotë.

Kryetarja e shoqatës “Borka”, Biba Dodeva, tha se qëllimi i saj është ngritja e vetëdijes për parandalimin e sëmundjeve, duke shtuar se kjo mund të bëhet në bashkëpunim me institucionet shtetërore, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kjo ditë festohet që nga viti 2000 dhe qëllimi ynë është të bashkojmë të gjitha forcat nga qeveria, institucionet, organizatat joqeveritare, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për parandalimin, diagnostikimin e hershëm, trajtimin modern dhe në kohë të kancerit, të njerëzve që janë të sëmurë dhe që janë detektuar nga cilado sëmundje malinje”, tha Dodeva.

Ministri Filipçe u pyet edhe në lidhje me koronavirusin e ri, me ç’rast tha se Maqedonia e Veriut i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme. Duke rikujtuar se nuk ka asnjë rast të infektimit me koronavirus në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, ai theksoi se vendi ka sasi të mjaftueshme të pajisjeve mbrojtëse.

Koronavirusi i ri, i njohur si 2019-nCoV, për herë të parë është paraqitur në qytetin Wuhan të Kinës. Autoritetet kineze kanë njoftuar se numri i rasteve të vdekjeve në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit ka shkuar në 425, ndërsa rreth mbi 20.000 të tjerë janë infektuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme