BE po përçahet, nuk ka një identitet që e mban të bashkuar

13:44 | 31 Janar 2020
arbresh.info

Dikur Evropa kishte një ide të mrekullueshme, një zonë të tregtisë së lirë të quajtur Komuniteti Ekonomik Evropian, fokusi kryesor i së cilës ishte tregtia, dhe jo shpikja e identiteteve. Ajo u zëvendësua nga Bashkimi Evropian, por tani BE mund të shohë me ëndje një shembull tjetër, zonën tregtare të Amerikës së Veriut, që ka një PBB pak më të madhe se sa Bashkimi Evropian. Që ta dyja janë thelbësisht të ndryshme; blloku i Amerikës së Veriut, nuk pretendon se përfaqëson një identitet të Amerikës së Veriut

Në fundin e kësaj jave, Britania e Madhe, ekonomia e dytë më e madhe në Evropë, do të dalë nga Bashkimi Evropian. Ndërkohë, Polonia gjendet nën sulmin intensiv të Brukselit për shkeljen e rregullave të BE-së, për shkak të përpjekjes për të kufizuar pavarësinë e gjyqtarëve polakë.

Edhe Hungaria po kritikohet për shkeljen e sundimit të ligjit, ndërsa një nga partitë më të mëdha në Itali, ka hedhur idenë e futjes së një monedhe paralele me euron, që do t’i jepte mundësi vendit të administrojë borxhin e brendshëm, pa marrë parasysh rregulloret dhe dëshirat e Bashkimit Evropian.

Parimi themeltar i BE-së ishte bashkimi i kombeve deri atëherë ndërluftuese në një bllok të përbashkët, të ndërtuar rreth parimeve të përbashkëta ekonomike dhe politike, dhe nën një identitet të përbashkët evropian.

Supozimi ishte se duke pasur në konsideratë historinë e trazuar të Evropës, lënia mënjanë e dallimeve, ishte një nevojë e vetëkuptueshme për të gjitha vendet evropiane. Por siç po e shohim në rastin e Italisë, nuk është e qartë nëse ekziston një interes i përbashkët ekonomik evropian. Dhe duke pasur parasysh tensionet me Poloninë dhe Hungarinë, është ndërkaq e paqartë nëse ekziston ndonjë interes i përbashkët politik. Për më tepër, vendimi i Britanisë për të dalë nga unioni, ngre pikëpyetje nëse vazhdojnë të ekzistojnë këto interesa të përbashkëta, dhe nëse identiteti kombëtar mund të nënkuptohet nën një identitet evropian.

Tensionet brenda BE-së, nuk reflektojnë një mosmarrëveshje të parëndësishme. Ato paraqesin pikëpyetje themelore nëse interesat dhe identitetet kombëtare, mund të pajtohen me interesat evropiane, që janë përkufizuar në mënyrë të mjegullt. Pra siç po shihet BE po shkon drejt një krize ekzistenciale.

Unioni mund t’i mbijetojë asaj, por vetëm si një koalicion vendesh, që përfaqësojnë një pjesë të Evropës. Problemi themelor është identiteti dhe sovraniteti kombëtar. Britania, Italia, Polonia dhe Hungaria, janë vërtet vende evropiane, por ato kanë histori të ndryshme, dhe për këtë arsye edhe ndjeshmëri të ndryshme.

Çfarë do të thotë të jesh italian, nuk është e njëjtë me atë që do të thotë të jesh britanik. Dhe italianët dhe britanikët, kanë një sens tjetër mbi veten nga gjermanët apo rumunët. Prandaj, shtrohet pyetja:Cila është kjo ndjeshmëri evropiane? Supozimi i zakonshëm është demokracia liberale.

Problemi është se ekzistojnë shumë lloje të demokracisë liberale. Për më tepër, parimi themelor që qëndron pas demokracisë liberale është vetëvendosja kombëtare:ideja që kombi duhet të zgjedhë qeverinë e tij, dhe që kjo e fundit nuk jep llogari para askujt përveç kombit.

Nëse e hiqni idenë e vetëvendosjes kombëtare nga demokracia liberale, ju nënvlerësoni parimin themelor të demokracisë liberale, dhe bashkë me të edhe identitetin evropian. Demokracia liberale është vetëvendosje kombëtare, ose nuk është asgjë. Qeveritë në Britani, Itali, Poloni dhe Hungari, janë që të gjitha të zgjedhura nga populli.

Disa politikanë të mundur në zgjedhje, kanë pretenduar se rezultati ishte produkt i mashtrimit të paligjshëm të opinionit publik, siç ndodhi me referendimin mbi Brexit. Por fakt është që kjo dukuri nuk është e huaj për këto vende. Polonia dhe Hungaria, kanë kuptimin e tyre se si duhet të jetë pushteti shtetëror.

Italia ka një histori të gjatë të qeverisjes komplekse dhe të fragmentuar, ndaj ka nevojë të kontrollojë ekonominë e saj. Ndërsa pjesët përbërëse të Mbretërisë së Bashkuar, kanë identitete kombëtare që janë shumë të ndryshme nga ato të vendeve të tjera.

Kombet e Evropës janë të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra. Dhe ndërsa historia ka bërë që secili prej tyre të adoptojë normat e vlerave liberale përtej vetëvendosjes kombëtare, ata nuk hoqën kurrë dorë nga identitetet e tyre, pasi nuk mundën ta bënin dot këtë.

Ato janë produkt i historisë, dhe ndërsa pushtimi gjerman ose sovjetik i formësoi ato, disa dekada tmerri – dhe adoptimi i idesë se vetëvendosja kombëtare duhet të përcaktohet përmes zgjedhjeve – nuk mjaftuan që ato të braktisnin identitetin e tyre kombëtar. Franca ishte Franca, edhe para se të zhvillonte zgjedhjet e saj të para.

Pra për disa vende, identiteti kombëtar mund të ekzistojë i pari, dhe përtej demokracisë liberale. Ky nuk është rasti i SHBA-së, ku vetë identiteti i saj që nga themelimi ishte liberal demokratik. Ndërkohë identiteti gjerman ka ndryshuar dramatikisht përgjatë dekadave, dhe gjermanët ishin ende gjermanë pavarësisht ndryshimeve.

Por nëse ideja e identitetit kombëtar është kaq shumë e ndërlikuar, atëherë si mund ta përcaktojmë atë? Identiteti evropian që trilloi Traktati i Mastrihtit, ishte fotoja e një momenti unik në historinë evropiane, gjatë të cilës po mbaronte puhtimi anglo-amerikan i Evropës Perëndimore, dhe pushtimi sovjetik i Evropës Lindore.

Demokracia liberale, që u imponua në qytetet e shkatërruara gjermane, dukej se ishte pjesë e identitetit gjerman, pavarësisht historisë. Polakët dhe hungarezët, dëshironin të ishin evropianë, dhe demokracia liberale që doli nga Lufta e Dytë Botërore ishte modeli i tyre, ashtu siç ishte edhe për Italinë.

Por unë mendoj se ai identitet evropian, ishte një iluzion të cilit Evropa iu bashkua, nga frika se e vetmja alternative, ishte rikthimi në të kaluarën e vet të përgjakshme. Pasi ra Muri i Berlinit, më në fund u duk se kishte një Evropë të plotë, dhe se të gjithë do të tuboheshin rreth saj.

Por problemi, siç e thashë edhe më lart, është se historitë e Italisë, Gjermanisë, Britanisë, Polonisë dhe Hungarisë, ishin të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra. Në atë moment, të gjithë dëshironin të njëjtën gjë, por kur ai moment kaloi, secili vend kujtonte atë që ishte dikur, dhe sot janë duke e ringjallur atë.

Shpikja evropiane e liberalizmit teknokratik ishte e huaj për ta, dhe e drejta e vetëvendosjes kombëtare, ishte një realitet empirik dhe një parim moral. Teksa zyrtarët e BE-së po i kërcënojnë me sanksione, të gjithë po shohin se burokracia e BE-së jo vetëm që nuk është më autoritare, por as e frikshme.

Ekonomia britanike u rrit në janar, një tregues se katastrofa që Brukseli uroi për Britaninë, mund të mos “vizitojë” Londrën apo Italinë, nëse kjo e fundit vendos të ketë sërish monedhën e saj. Dhe sigurisht, as Polonia dhe Hungaria, që pasi i mbijetuan Stalinit dhe Hitlerit, nuk kanë gjasa të jenë të detyruara t’i nënshtrohen BE, për hir të subvencioneve gjithnjë e më të vogla financiare të saj.

Dobësimi i BE-së, e ka zvogëluar aftësinë e saj për të garantuar konformitetin. Dikur Evropa kishte një ide të mrekullueshme, një zonë të tregtisë së lirë të quajtur Komuniteti Ekonomik Evropian, fokusi kryesor i së cilës ishte tregtia, dhe jo shpikja e identiteteve.

Ajo u zëvendësua nga Bashkimi Evropian, por tani BE mund të shohë me ëndje një shembull tjetër, zonën tregtare të Amerikës së Veriut, që ka një PBB pak më të madhe se sa Bashkimi Evropian. Që ta dyja janë thelbësisht të ndryshme; blloku i Amerikës së Veriut, nuk pretendon se përfaqëson një identitet të Amerikës së Veriut.

Ndonjëherë, anëtarët e tij nuk e honepsin dot njëri-tjetrin, dhe ai nuk ka një sekretariat që të diktojë se si duhet të jetojnë. Amerikanët e veriut nuk pëjetuan atë që përjetuan evropianët, ndaj nuk po përpiqen që të shtypin atë se kush ishin, dhe natyrisht atë që ende janë.

“Geopolitical Futures” – Bota.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme