Gjatë vitit 2019 u konstatuan 285 raste të lojërave të fatit në Shqipëri

08:47 | 3 Shkurt 2020
Arbresh.info

Ndonëse u ndaluan me ligj, shqiptarët ende kanë tendencë për të ndjekur lojërat e fatit. Gjatë vitit të shkuar, nga policia janë evidentuar qindra raste dhe arrestuar e proceduar qindra autorë. Rastet nuk kanë munguar as muajin janar, ndërsa sipas sociologëve shkaqet që shtyjnë këta persona, janë kushtet ekonomike dhe papunësia.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se gjatë vitit të shkuar janë evidentuar 285 raste të organizmit të lotarive të palejuara dhe vënies në dispozicion të lokaleve për lojëra të fatit.

Prej tyre 192 raste janë për baste sportive me 253 të proceduar dhe 93 raste janë për vënien në dispozicion të ambienteve me 111 të akuzuar.

Ky fenomen sipas sociologëve lidhet me situatën ekonomike dhe papunësinë.

“Ka disa faktorë që i shtyjnë. Ne po të shikojmë kemi një shoqëri, e cila është gjithmonë në nivele të ulëta ekonomike, një shoqëri ku papunësia është shumë e lartë dhe mjetet e fitimit janë të ulëta për të mbajtur qoftë individin, qoftë familjen”, thotë sociologja Ariana Muça.

Muça shton se përfshirja në këto aktivitete sjellin pasoja individuale dhe familjare.

“Ne e dimë shumë mirë që lojërat e fatit janë një rrezikshmëri e lartë sepse ato sjellin një varësi të individit dhe kjo sjell efekte negative në jetën individuale, por edhe atë familjare”, shton ajo.

Rastet nuk kanë munguar as gjatë muajit janar të këtij viti, ku policia ka arrestuar 3 persona në flagrancë dhe proceduar 5 të tjerë në gjendje të lirë, mes tyre një pronar lokali. Ndalimi i tyre u bë pas kontrolleve ku janë gjetur telefona celular, që përdoreshin për vendosje të basteve sportive. /Ora News/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme