Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ende përballen me mungesë të sigurimit shëndetësor.
Ata veç tij kërkojnë uljen e moshës së pensionimit. Këto e të tjetra shqetësime në një intervistë për arbresh.info i ka bërë të ditur Shaban Tasholli, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Ai ka thënë se policët krahas kërkesave kryejnë punën me përgjegjësi.
“Gjendja e punëtoreve të Policisë së Kosovës është e mirë, punët kryhen të përditshme, disponimi të punëtorët është i mirë gjithherë në nivel mirëpo ato pakënaqësitë që i kemi dhe i shprehim janë brenga e jona që kërkojmë sigurim shëndetësor, jetësor, aksidental, pension”, ka thënë Tasholli.
Ai ka shtuar gjithashtu se kërkesat i kanë adresuar gjithmonë, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
“Po gjithherë i kemi adresuar në organet kompetente, në 2019-en është bërë Ligji për paga që është aprovuar. Mirëpo për një kohë të shkurt Kushtetuesja mori vendim që të pezullohet deri në muajin mars. Ne kemi pritur që në dhjetor Policia e Kosovës t’i merr pagat me rritje. Edhe për sigurim shëndetësor kemi biseduar, edhe për pension të parakohshëm dhe të rregullt, por ende nuk kemi përgjigje pozitive”, ka shtuar Tasholli.
I pari i Sindikatës së Policisë së Kosovës ka thënë se për sigurim shëndetësore shpresat i kanë te Qeveria e re.
“Gjithherë është punuar dhe ministrat e shëndetësisë por Qeveria nuk e ka aprovuar, tani besoj se me ardhjen e Qeverisë së re do të ketë një shqyrtim më serioz jo vetëm për Policinë, me arsimin, shëndetësinë, doganën e Zjarrfikësit punojmë si një trup drejt qëllimit për nivelim të pagave”, ka thënë ai.
Tasholli ka thënë gjithashtu moshën e pensionimit kërkojnë ta bëjnë 50 vjeç.
“Nuk do të thotë që ka kërkesë por duhet të bëhet ligj dhe mosha 50 vjeçare të shkojnë në pensionim siç e ka FSK. Ky do të ishte i mirëseardhur për në, dhe shtetin e të rinjtë që të punësohen në Policinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
E sipas tij vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e pagës mujore 300 euro krahas 80% të pagës për familjet e policëve që kanë ndërruar jetë në detyrë është dashur të bëhet më herët.
Por sipas tij vendimi i Qeverisë duhet të kaloj menjëherë në ligj.
“Besoj se kjo është dashur të bëhet dhe më herët, e kemi mirëprit dhe falënderojmë Qeverinë për këtë ligj. Dashtë Zoti që të mos ndalet pasi ky është vetëm vendim i Qeverisë dhe të bëhet edhe me ligj. Ne do të jemi në konsultim me familjarët, drejtorinë e Policisë dhe Qeverinë që këto 300 euro të mos ndalen sepse është humbje e madhe që të humb jetën në detyrë por të mbetet me atë pagë. Kjo 300 euro është mbulesë solide për atë familje”, ka shtuar ai.
E mungesën e sigurimeve shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës për arbresh.info e ka komentuar edhe njohësi çështjeve të sigurisë në vend, Drizan Shala.
Ai ka thënë se kjo kategori nuk gëzon të drejtat e tyre as kaq vite pas luftës. Shala madje ka kritikuar edhe ndarjen e mjeteve nga Qeveritë në rast të vdekjes së policëve.
“Sa i përket faktit që 21 vite pas luftës ende nuk kanë mundur që spektri politik të pajtohen që kjo kategori të gëzojë një të drejtë themelore që ndërlidhet më sigurimin shëndetësor. Dhe kjo po e dëshmon që pas rasteve ku kemi humbje jetosh Qeveritë po shpërndajnë ndihma financiare për këta zyrtar që është gabim sepse duhet që të kemi të rregulluar në formën e normës juridike”, ka thënë ai.
Kujtojmë që këtë javë gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës ka ndërruar jetë një person ndërsa kanë marrë lëndime trupore dy të tjerë, njëri prej të cilëve ka humbur njërin sy.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka ndarë 15 mijë euro për familjen e policit të ndjerë ndërsa nga 10 mijë euro për policët e lënduar. Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj gjithashtu ka ngritur shqetësimin për mungesë të sigurimeve shëndetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës./arbresh.info/
https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/757477571328238/
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...
Amorimi sot mban seancën e parë stërvitore me Unitedin
Vendimi i Biden për raketat/ Kremlini: SHBA po i hedh benzin...