Google ADS

Hapet pika kufitar me Maqedoninë, pas 6 muajsh mund të qarkullojnë edhe mallrat

12:41 | 31 Janar 2020
Arbresh.info

“Sot po realizohet ëndrra e kahmotshme”, kjo ishte fjalia e çdo pjesëmarrësi në hapjen e pikës kufitare mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut, Stanqiç-Bellanoc e cila u bë sot.

Më këtë rast zëvendës kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se sot është ditë historike.

“Sot është një ditë historike ku përfundimisht hapim këtë pikë si simbol të bashkëpunimit mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Sot nuk mund ta fsheh kënaqësinë time se është një nga punët më të mira. Ajo që dikur mendohej të jetë e pamundur e bëmë realitet. Ne bashkë me bashkëpunëtor dhamë kontribut të madhe për këtë. Ky objekt nuk është vetëm një kalim kufitar por edhe më shumë. Ky është projekt evropian dhe dëshmi e bashkëpunimit. Ky kufi është urë lidhëse për shqiptarët e dy vendeve. Kjo na e lehtëson për të mbajtur kontakte familjare e miqësore”, tha ai.

Ndërsa zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se hapja e kësaj pike vite më parë ka qenë ëndërr e shumë gjeneratave.

” Është një ditë e veçantë e që do të mbahet mend gjatë. Hapja e kësaj pike ka qenë një ëndërr për disa gjenerata, hapja e kësaj pike është një përafrim mes Gjilanit e Likoves. Edhe nga Gjilani edhe nga Prishtina është dashtë të udhëtohet me kilometra dhe tash kjo u shkurtua. Hapja e kësaj pike do t’i kontribuoj zhvillimit ekonomik. Kjo pikë është gurthemel i bashkëpunimit të mirë që kemi mes Prishtinës e Shkupit. Jemi mirënjohës ndaj BE-së për mbështetjen financiare për këtë pikë”, tha Hoxhaj.

E Kryetari i Komunës së Likoves, Erkan Arifi tha se sot po realizohet ëndrra e banorëve të dy zonave.

“Sot realizohet një projekt kapital që ka për qëllim kalimin e banorëve të dy zonave por edhe të zhvillimit ekonomik. Sot bëhet realitet ëndrra e shumë personave”.

Ndërsa Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit tha se kjo pik po shkurton qarkullimin e lirë të njerëzve.

” Ky pik kalimi do të shkurtoj qarkullimin e lirë të njerëzve e mbas 6 muajve edhe të mallrave. Dikur ka qenë e paimagjinueshme jo vetëm për 40 minuta që mbërrijmë në Kumanovë tash po kjo pik ka hapur edhe shumë rrugë të tjera. Kjo ditë me të drejt quhet realizim i ëndrrës”, tha Haziri.

Kujtojmë se në këtë pikë do të mund të kalojnë vetëm njerëzit dhe automjetet e vogla e pas gjashtë muajve edhe automjetet e renda e mallrat.

Pika kufitare që do të lidh Kosovën më Maqedoninë Veriore ishte financuar nga BE-ja ndërsa ndërtimi i saj kishte filluar në vitin 2018./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme