Kurdisja e çmimit të naftës në Kosovë, kompanitë e dyshuara ftohen në seanca dëgjimore

10:58 | 31 Janar 2020
Arbresh.info

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka lëshuar një komunikatë për media lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me hetimet që ky institucion ka bërë për çmimin e naftës në vendin tonë.

AKK njofton se së shpëjti do të fillojë me mbajtjen e seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, në të cilat palët do të kenë mundësinë që t’i kontestojnë faktet e konstatuara të AKK-së, shkruan lajmi.net.

Ky hetim ka filluar në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare.

Njoftimi i plotë nga AKK:

Përmes kësaj komunikate për media, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dëshiron të informojë mediat dhe qytetarët e Kosovës rreth zhvillimeve të fundit që kanë të bëjne me hetimet që AKK është duke zhvilluar lidhur me çmimin e derivateve të naftës për dy muajt e fundit të vitit 2018.

Siç kemi njoftuar në nëntor të vitit 2019 kur kemi shpalosur gjetjet e Njoftimit të Fatkteve Paraprake, AKK u ka dhënë kohë të mjaftueshme të gjithë operatorëve që janë subjekt i këtij hetimi që t’i dërgojnë komentet e tyre lidhur me hetimin në fjalë.

Në këtë kontekst, AKK njofton se tashmë ka pranuar komentet e operatorëve, dhe pas shqyrtimit te tyre, ka konstatuar që AKK qëndron prapa gjetjeve të paraqitura në Njoftimin e Fakteve Paraprake.

Sidoqoftë, bazuar në Ligjin per Mbrojtjen e Konkurrences, Autoriteti Kosovar i Konkurrenës do të fillojë së shpejti mbajtjen e seancave dëgjimore me ndërmarrjet nën hetim, meqë rast palët do ta kenë mundësinë t’i kontestojnë faktet e konstatuara të AKK-së në seancë dëgjimore. Ky proces do t’i paraprijë një vendimi përfundimtar nga ana AKK-së lidhur me këtë çështje.

Lidhur me mbajtjen e seancave dëgjimore, AKK do të njoftojë me kohë të gjitha operatorët që janë subjekt i hetimit.

Siç është sqaruar edhe më herët, ky hetim ka filluar në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshime se operatorët e shitjes me pakicë të këtyre derivateve nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale gjatë caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018, kur çmimi në tregun e Kosovës kishte mbetur i njëjti përkundër rënies së çmimit në berzën ndërkombëtare.

Gjithashtu, AKK është duke i përcjellë me vëmendje ankesat e bizneseve lidhur me dyshimet për rritjet e çmimit të çimentos, të aplikuara nga një ndërmarrje që ka pozitë të fuqishmë në tregun e cimentos në Kosovë. Bazuar në mandatin e tij, AKK do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës dhe do të njoftojë publikun lidhur me cdo zhvillim të mundshëm rreth kësaj çështjeje.

Të ngjashme