90% të kosovarëve që marrin shtetësinë zvicerane nuk kanë lindur në Zvicër

20:40 | 30 Janar 2020
Arbresh.info

65 për qind e qytetarëve me shtetësi të dyfishtë, shtetësinë zvicerane e kanë marrë përmes natyralizimit. Kjo është veçanërisht e theksuar tek shtetasit e dyfishtë me prejardhje nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

18 për qind e popullatës zvicerane të moshës mbi 15-vjeçare kanë shtetësi të dyfishtë. Si rezultat, është rritur më tej pjesëmarrja e tyre në popullatën e gjithëmbarshme, shkruan blick.ch. Kjo kategori përfshin pothuajse një milion njerëz, siç e tregojnë shifrat e fundit nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), të që u publikuan sot.

Shifrat dallojnë shumë në varësi nga zonat e vendit. Kështu, pothuaj çdo i dyti qytetar zviceran në kantonin e Gjenevës është shtetas i dyfishtë.

Konkretisht: 45 për qind. Shifrat mbi mesataren janë gjithashtu në kantonet e Vaud (30%), Neuchâtel (26%) ose Cyrih dhe Basel-Stadt (secila rreth 22%).

Nga ana tjetër, rreth 10 për qind është shkalla e qytetarëve me shtetësi të dyfishtë në kantonet rurale si Uri, Ob- dhe Nidwalden ose Appenzell Innerrhoden.

65 për qind e qytetarëve me shtetësi të dyfishtë, shtetësinë zvicerane e kanë marrë përmes natyralizimit. Kjo është veçanërisht e theksuar tek shtetasit e dyfishtë me prejardhje nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, përcjell albinfo.ch.

Në të tri këto raste, më shumë se 90 për qind e tyre shtetësinë zvicerane e kanë marrë përmes natyralizimit, d.m.th. si të ardhur nga shtetet përkatëse.

Nga ana tjetër, 35 për qind e qytetarëve të dyfishtë nënshtetësi zvicerane e kanë marrë me lindje, pra ata kanë vetëm prejardhjen e huaj (prindërit).

Shtetësia që është ruajtur më së shpeshti me rastin e marrjes së shtetësisë zvicerane ishte ajo italiane (në 24 për qind të rasteve). Pastaj vjen në radhë shtetësia franceze (pak më shumë se 11 për qind) dhe shtetësia gjermane (mbi 8 për qind).

Gjermanët kanë regjistruar deri tani rritjen më të lartë të numrit të natyralizimeve: nëse ata në vitin 2000 ende përbënin 2.3 për qind të të gjithë qytetarëve të rinj me shtetësi zvicerane, në vitin 2018 kjo shkallë u ngjit në 14.4 për qind.

Siç e tregon statistika më e re, interesimi i italianëve për nënshtetësinë zvicerane ka rënë ndjeshëm: në vitin 2000 ata përbënin pak më pak se një të katërtën e të gjitha natyralizimeve, ndërsa në vitin 2018, vetëm 11.9 për qind.

Rreth 42,000 njerëz janë natyralizuar në Zvicër vitin e kaluar, që i bie rreth 3.000 më pak se një vit më parë.

Mesatarisht, një e katërta deri në një të tretën prej tyre kanë përfituar nga natyralizimi i lehtësuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme