Haki Abazi optimist për marrëveshjen: Jemi në fazën e fundit

13:13 | 29 Janar 2020
V. S.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, është i bindur se do të ketë marrëveshje ndërmjet partisë së tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai i ka thënë se janë në fazën finale të marrëveshjes e që sipas tij nuk ka asnjë alternativë tjetër pos që këto dy subjekte të bëhen bashkë dhe të qeverisin me vendin.

“Mendoi që jemi në fazën e finalizimit të marrëveshjes, po ta them sinqerisht. Deklarimit dhe qëndrime të dy subjekteve politike VV e LDK janë që marrëveshja duhet të gjendet dhe bëhet, sepse pos VV e LDK qytetarët nuk kanë alternativë tjetër për qeverisje, tek e fundit qytetarët me votat e tyre e kërkuan këtë marrëveshje për bashkëqeverisje”, tha Abazi transmeton Gazeta Blic.

Sipas tij oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për partinë e Isa Mustafës ka qenë që kryetarit i Kuvendit të jetë me rotacion.

“E vërtetë po dukemi larg por nuk do të thotë se është e pamundur që të gjendet një modus i veprimit. Ne e kemi thënë LDK ta marrë kryetarin e Kuvendit në një afat një vjeçar dhe ne pastaj ta kemi atë për tri vjet”, ka thënë Abazi.

Tutje, ai me bindje është shprehur se brenda afatit kushtetues, e që është 4 shkurti, LVV e LDK do të behën bashkë, duke refuzuar të jap komente se si do të veprohet pas asaj date në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

“Nëse nuk ka marrëveshje hyjnë opsione tjera që nuk kisha dashur të interpretoj sepse nuk jemi aty, deri më 4 shkurt ne do të provojmë gjithçka që të arrihet marrëveshja dhe të bëhet qeveria”, tha ai.

Ndryshe, përfaqësuesit e dy partive LVV-LDK dje zhvilluan takimin e fundit të shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve të QUNIT-it, por edhe ky takim ngjashëm sikurse ato të më hershmet, përfundoi pa një marrëveshje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme