Google ADS

Palestinezët protestojnë kundër planit të Trump-it për paqe me Izraelin

09:59 | 29 Janar 2020
A. B.

Banorët dhe udhëheqësit politikë të Palestinës e kanë kundërshtuar planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konfliktit të gjatë me Izraelin.

Me këtë plan parashihen krijimi i shtetit palestinez në të ardhmen dhe njohja e sovranitetit të Izraelit në vendbanimet e Bregut Perëndimor, të cilat janë ilegale sipas ligjit ndërkombëtar.

Në këtë plan gjithashtu thuhet se Jerusalemi do të mbetet kryeqytet i Izraelit, ndërsa kryeqyteti i shtetit të ardhshëm palestinez do t’i përfshijë disa zona në lindje të këtij qyteti.

Ndaj planit të presidentit amerikan reagoi menjëherë homologu i tij palestinez, Mahmoud Abbas. Ai tha: “Jerusalemi nuk është në shitje. Asnjë e drejtë e jona nuk është në shitje.”

Për më tepër, mijëra palestinezë protestuan në Rripin e Gazës, ndërsa ushtria izraelite dërgoi përforcime në Bregun Perëndimor, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Ky plan, me të cilin synohet zgjidhja e njërit prej konflikteve më të gjata në botë, është hartuar nën mbikëqyrjen e dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner.

Ndryshe, Izraeli i ka vendosur rreth 40 mijë çifutë në vendbanimet e Bregut Perëndimor, ndërsa 200 mijë të tjerë jetojnë në pjesën lindore të Jerusalemit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme