Dëshmia e Boltonit mund të ndryshojë rrjedhën e gjyqit për shkarkimin e Trumpit

07:17 | 29 Janar 2020
Arbresh.info

Gjyqi për shkarkimin e Presidentit Donald Trump rifilloi të hënën mes njoftimeve për prova të reja që mund të ndryshojnë votën e senatorëve republikanë lidhur me dëshmitarët e mundshëm, nga fundi i kësaj jave.

Sipas një artikulli në gazetën New York Times, ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton ka pohuar se zoti Trump i ka thënë personalisht se e kishte kushtëzuar ndihmën për Ukrainën me një hetim të rivalëve të tij politikë. Kjo mund të jetë një pike kthese në çështjen për shkarkim.

Zoti Bolton – që prej kohësh është kërkuar si dëshmitar nga demokratët në Kongres – është vënë përsëri në qendër të përpjekjeve të tyre, pasi në një një libër ende të pabotuar të tij, pjesë të të cilit dolën në shtyp, pretendon se një dëshmi e tij do të konfirmonte akuzat për abuzim me pushtetin kundër Presidentit Trump.

“Jo vetëm që ka prova të mëtejshme që presidenti bllokoi ndihmën për të përfituar politikisht dhe kërkuar hetim, por duket se ka një përpjekje gjigande për të fshehur këtë të vërtetë mes kaq shumë njerëzve me peshë në Shtëpinë e Bardhë, që e dinin dhe nuk thanë asgjë, jo më të përpiqeshin ta ndalnin. Edhe nëse kishte ndonjë fije logjike në vendimin për të mos dëgjuar dëshmitarë dhe shqyrtuar dokumente, libri i zotit Bolton, e rrëzoi atë”, tha senatori Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës demokrare në Senat.

Por në ditën e dytë të argumentave të ekipit të mbrojtjes së Presidentit, avokatët e tij, u morën vetëm indirekt me pretendimet e zotit Bolton.

“Ne merremi me provat e përfshira në transcript, me informacionin publik. Nuk merremi me spekullimet që nuk bazohen në standardet për provat”, tha Jay Sekulow, këshilltar ligjor i Shtëpisë së Bardhë.

Ndërsa presidenti i hodhi plotësisht poshtë.

“Mund t’u them se nuk i është thënë asgjë John Boltonit”, tha ai.

Por informacioni i ri duket se po i bën disa senatorë republikanë të jenë të hapur të votojnë për dëshmitarë.

“Medoj që ka gjithnjë e më shumë gjasa që republikanë të tjerë të bashkohen me ne që duam të dëgjojmë dëshminë e John Boltonit. Dëshmitarë ose dokumenta të tjera, është tjetër çështje por mendoj se është bërë e qartë se dëshmia e John Boltonit është e rëndësishme për vendimin tonë”, tha senatori republikan, Mitt Romney.

Do të duhej që katër senatorë republikanë të votonin me demokratët, që të miratohej pranimi i dëshmitarëve. Aleati i zotit Trump, Lindsey Graham tha se ishte i hapur për një mundësi të tillë. Shumica e senatorëve republikanë thanë se koha e përshtatshme për të konsideruar dëshminë e zotit Bolton do të jetë nga fundi i kësaj jave, kur të votojë gjithë senati për këtë çështje.

“Është e qartë që do ta diskutojmë seriozisht. Bëhet fjalë për të enjten ose të premten, pastaj të shohim se ç’do të ndodhë”, tha senatori republikan Mike Braun.

Një votim për të lejuar zotin Bolton si dëshmitar mund të hapte rrugën për zyrtarë të tjerë aktualë dhe të shkuar të administratës për të dëshmuar por republikanët ka gjasa që të kërkojnë dëshmitarët e tyre, përfshirë ish-nënpresidentin Joe Biden dhe të birin e tij, Hunter.

Puna e Hunterit në kompaninë ukrainase të gazit Burisma, është një nga çështjet e përmendura nga ekipi mbrojtës i zotit Trump, që ka përsëritur pretendimin kryesor se zoti Trump nuk ka bërë asgjë të gabuar.

“Presidenti gjatë gjithë kohës ka vepruar në përputhje me autoritetin e tij kushtetues dhe interesat ndërkombëtare. Të pyesësh një udhëheqës të huaj që të hetojë korrupsionin, nuk është shkelje detyre”, tha zoti Sekulow.

Argumentat hapëse në gjyq, pritet të përfundojnë deri të mërkurën, pasuar nga mundësia që senatorët të bëjnë pyetje për çështjen.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme