Google ADS

Ahmeti: Të gjitha anketat thonë se BDI fiton bindshëm

22:26 | 27 Janar 2020
Arbresh Info

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në intervistën e dhënë për televizionin Klan të Maqedonisë, tutje ka folur edhe për akuzat e opozitës dhe kërkesave për ta pensionuar BDI-në nga pushteti.

“Të gjitha matjet, sondazhet, anketat, vullneti i qytetarëve, e nxjerrin një BDI fitimtare, por këtë do e thënë qytetarët, ne jemi përpjekur të bëjmë punën tonë”, tha Ahmeti.

Gazetari Seladin Xhezairi parashtroi dilemën e opozitës për pabarazinë e shqiptarëve në ndarjen e pushtetit dhe të mirave nga pushteti, parave dhe resurseve.

“Buxheti i shtetit vendoset me konsensus. Pjesëmarrës në përpilimin e buxhetit janë kryetarët e komunave, ministrat, funksionarët. Ne kemi vendosur standarde evropiane sipas Marrëveshjes së Ohrit për decentralizim të theksuar dhe këtu kemi dallime me partitë e koalicionit”, shton Ahmeti.

Ahmeti madje ka folur edhe rreth prioriteteve të reja programore të partisë së tij.

“BDI është një nga forcat më kredibile në vend dhe në rajon e më gjerë, është organizata më e përgatitur në vend. Për më shumë se 18 vite, BDI është dëshmuar e denjë për të udhëhequr me procese të rëndësishme. Republika e Maqedonisë ka nevojë për BDI-në. Mbi 500 këshilla vendor të BDI kanë mbajtur kuvende në kamera dhe para gjithë anëtarësisë. 36 degë kanë mbajtur kuvende transparante me transmetim të drejtpërdrejt. Kulmi i suksesit ishte Kongresi me mbi 4.000 njerëz të transmetuar në tërësi në media. Mbajtëm Kuvendet e rinisë dhe të grave pa asnjë problem, pa asnjë telash. BDI është pasuri kombëtare duke pasur parasysh edhe atë se si lindi kjo organizatë”, ka thënë Ahmeti.

“Rezolutat janë miratuar në Kongres dhe janë direktiva për programin e ri. BDI ka miratuar këto prioritete programore, integrim konsensual, veting, cilësi të jetës, zhvillim dhe vende pune, rinia në vend të parë. Këto prioritete adresojnë nevojat e qytetarëve”, shtoi Ahmeti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme