Avokatët e Presidentit amerikan Donald Trump rifilluan të hënën mbrojtjen në gjyqin në Senat, ndërkohë që republikanët të cilët kanë aty shumicën, po përpiqen t’u përgjigjen akuzave të një ish këshilltari të sigurimit kombëtar që aludon se zoti Trump i kishte thënë se synonte të bllokonte ndihmën ushtarake për Ukrainën derisa Kievi të fillonte hetimet ndaj rivalit kryesor demokratik të presidentit.
Senatori Lindsey Graham, mbrojtës i vendosur i Presidentit Trump, u tha gazetarëve se do të mbështeste posedimin me mënyra ligjore të dorëshkrimit të librit të ri të zotit John Bolton, “Dhoma ku ndodhën ngjarjet”, për t’i bërë atij “një vlerësim dhe për të parë nëse ekzisojnë arsye që dorëshkrimi të hyjë në procesverbal.”
Aludimi i zotit Bolton se Presidenti Trump synonte që Ukraina të hetonte ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djalin e zotit Biden para se ai të zhbllokonte 391 milion dollarët ndihmë me të cilat Kievi do të luftonte kundër separatistëve pro-rusë, minon një ndër argumentet kryesore të avokatësve mbrojtës, të cilët thonë se presidenti nuk ka gisht në ndonjë marrëveshje “më jep-të jap” me Ukrainën, pra ndihmë në këmbim të një hetimi me ngjyra politike.
Deri tani, demokratët që kanë pakicën në Senat, ishin duke zhvilluar një betejë të kotë për të bindur të paktën katër senatorë republikanë me të cilët të formonin një shumicë të thjeshtë për të kërkuar që zoti Bolton dhe zyrtarë të tjerë të Presidentit Trump të dëshmojnë lidhur me atë që dinë rreth ngjarjeve në prapaskenë të lidhura me Ukrainën.
Avokatët e zotit Trump thonë se nuk ka fakte të dorës së parë që të tregojnë se disa zyrtarë kanë folur drejtpërdrejt me presidentin për veprimet e tij në Ukrainë. Por zoti Bolton është takuar shpesh me presidentin deri sa ai e largoi atë shtatorin e kaluar nga posti i këshilltarit të sigurimit kombëtar.
Të hënën, ndërsa hapej dita e dytë e mbrojtjes së Presidentit Trump, avokati i tij Jay Sekulow u tha të 100 senatorëve që luajnë rolin e jurisë, se veprimet e presidenti “në çdo kohë” kanë qenë të ligjshme dhe brenda autoritetit të tij kushtetues.
Avokati mbrojtës i zotit Trump, Kenneth Starr e quajti Dhomën e Përfaqësuesve të drejtuar nga demokratët “një institucion që ka humbur drejtim” në nxitimin për të ngritur akuza ndaj udhëheqësit amerikan, duke bërë “plot shkelje të procesit themeltar” dhe duke e trajtuar padrejtësisht presidentin Trump.
Starr tha se në vend që të largojë zotin Trump nga detyra, Senati duhet ta lirojë atë nga akuzat dhe të “lejojë njerëzit të vendosin” fatin e tij në zgjedhjet e nëntorit, ku ai po kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Avokati Starr ishte personi që drejtoi hetimin, i cili çoi në ngritjen e akuzave ndaj ish-Presidentit Bill Clinton në vitin 1998.
Senatori Mitt Romney nga shteti Juta, një republikan që mbështet thirrjen e dëshmitarëve, të cilët zoti Trump nuk i ka lejuar të dëshmojnë në proces, tha se ato që rezultojnë nga libri i zotit Bolton e bëjnë “gjithnjë e më të mundur” që më shumë senatorë republikanë të kërkojnë dëgjimin e dëshmitarëve.
Shumë republikanë të Senatit dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë mezi presin që zoti Trump të lirohet nga akuzat deri në fund të javës, përpara se të mbajë fjalimin për gjendjen e vendit javën e ardhshme. Thirrja e dëshmitarëve mund të zgjaste ndjeshëm gjyqin në Senat./voa/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...