Google ADS

Rama flet për rindërtimin pas tërmetit: Në 60 ditë volum shembullor pune

16:40 | 26 Janar 2020
Arbresh Info

Në 60 ditë ne kemi bërë një volum pune, që krahasuar me eksperiencat e vendeve të tjera, është shembullore”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se “po planifikojmë procesin e rindërtimit në bazë të të gjithë komponentëve teknikë, ndërsa është adresuar plotësisht aspekti ligjor”. Në prezantimin e platformës së aplikimit online për qytetarët që përfitojnë nga programet e rindërtimit, Kryeministri Edi Rama informoi qytetarët mbi punën që po kryhet paralelisht në disa drejtime në programin e rindërtimit.

“Ne nuk jemi duke ndenjur duarkryq, përkundrazi po punojmë orar pa orar, për të realizuar në një kohë shumë të shpejt procese që janë shumë të ndërlikuara. Kjo është një histori e një shtëpie që është rrënuar dhe duhet ndërtuar parë nga afër, por ka shumë kapituj në mes duke filluar nga ai ligjor për të cilin na është dashur të shkruajmë në kohë rekord një sërë aktesh nënligjore në funksion të gjithë organizimit të procesit”, tha Rama.

Ai shtoi se “procesi ka një sërë elementësh që duhen siguruar dhe harmonizuar për të arritur te momenti i dëshiruar i dorëzimit të çelësave të shtëpive për të gjithë ata që kanë humbur strehën”. Ndërkohë, tha ai, “programi nuk adreson vetëm ata që kanë humbur strehën, por edhe të tjerët që janë dëmtuar në një masë të caktuar nga tërmeti”. “Në bazë të shkallës së dëmit, që është përcaktuar në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë referuar eksperiencave të vendeve të tjera, ata do të marrin një masë të caktuar dëmshpërblimi. Ne nuk duam të lëmë vetëm askënd që është prekur nga tërmeti, pak, shumë ose pa kthim nga pikëpamja e strehës”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se aspekti ligjor është adresuar plotësisht dhe tani të gjitha proceset janë futur në rrugë paralelisht. “Kjo do të thotë që për të rindërtuar ne nuk mund të sillemi si individët që ndërtuan pa leje në vitet e mëparshme. Ne kemi nevojë për të planifikuar jo thjesht në bazë të ligjit por edhe në bazë të të gjithë komponentëve teknikë. Nëse themi do të ndërtojmë këtu në zonën e Thumanës apo Laçit, ku projektet kanë avancuar bashkë me zonat e tjera, duhet të bëjmë së pari një studim gjeologjik të terrenit dhe pastaj në të gjitha nivelet e tjera teknike të nevojshme që duhen kapërcyer për të planifikuar masterplanin dhe pastaj për të kaluar te projekt zbatimet”, tha Rama. Rama solli shembullin e Italisë dhe mënyrën se si është përballur ajo në situatat e tërmetit.

“Këtë nuk e them për t’i rënë gjoksit apo për të treguar se po bëjmë çudi, por eksperienca e vendeve të tjera ka shumë pamje. Ne kemi Italinë fqinje, një nga vendet më të industrializuara dhe të zhvilluara të botës që ka sot që flasim edhe shembuj të rindërtimit me një kapërcim cilësor në raport me tërmetin, pra të krijimit të kushteve më të mira se më parë, siç është rasti i rindërtimit në zonën e Friulit, por ka edhe shembuj që duhen ti kemi parasysh, ku edhe pas 10, 12, 15, 17 vitesh pas tërmetit, familjet presin sot që flasim në kabina dhe akoma nuk janë futur në shtëpi”, shtoi Rama. Kryeministri siguroi se “ky nuk do të jetë rasti ynë, por procesi është shumë kompleks”.

Të ngjashme