Ndërsa Uashingtoni është i përqendruar tek tensionet me Iranin dhe gjyqin për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump, dy zyrtarë të lartë të administratës amerikane, kanë bërë përpjekje këtë javë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, për përparim në drejtim të zgjidhjes së një çështjeje jo shumë të njohur për shumicën e amerikanëve.
Siç njofton kolegia, Keida Kostreci, vëmendja në nivele të larta të administratës ndaj mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, i ka bërë disa analistë amerikanë të vrasin mendjen se ç’vend zë kjo çështje në politikën e jashtme amerikane, në qendër të së cilës kanë qenë krizat në Korenë e Veriut dhe Iranit dhe e cila ka në qendër sloganin “Amerika e Para.”
Vetë presidenti Trump i ka kushtuar personalisht interes kësaj çështjeje, duke shprehur vlerësimin e tij në Twitter një ditë para se të fillonte gjyqi për shkarkimin në Senat.
Në një postim në Twitter të hënën në mbrëmje, ai shkruante:
Everyone said it couldn’t be done. But for the first time in a generation, there will be direct flights between Serbia and Kosovo. Another win. Thanks to @WHNSC Ambassador Robert O’Brien and Ambassador @RichardGrenell! pic.twitter.com/0qSLryG96B
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) January 21, 2020
“Të gjithë thoshin se nuk bëhej dot. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime të drejtpërdrejta midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore.”
Në fillim të javës, ndërsa senatorët amerikanë debatonin për rregullat e gjyqit për shkarkimin, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien takoi në Davos, presidentët e Serbisë dhe Kosovës.
Richard Grenell, ambasadori amerikan në Gjermani dhe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi, vizitoi këtë javë Prishtinën dhe Beogradin, duke nxitur palët të rifillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe të përqendrohen tek zhvillimi ekonomik.
Edhe i dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer është angazhuar intensivisht në këtë përpjekje diplomatike.
Following @realdonaldtrump’s successful effort to broker a deal to open up air travel between Serbia and Kosovo, NSA Robert O’Brien had cordial meetings with Presidents Aleksandar Vučić and Hashim Thaçi on the sidelines of #Davos. pic.twitter.com/JHYSUQHNCq
— NSC (@WHNSC) January 21, 2020
Në takimet e kësaj jave, ambasadori Grenell bëri thirrje për kompromis.
“Tarifat duhet të hiqen. Tarifat janë të papranueshme, dhe e bëj të njëjtën kërkesë këtu, që fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës duhet të ndalet. Prandaj mendoj se ajo çka do të bëjmë është të vazhdojmë të lëvizim në këtë drejtim të përqendrimit në ekonomi”, tha ambasadori Grenell të enjten, pas takimit me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Beograd, duke i bërë jehone deklaratës së ngjashme një ditë më herët në Prishtinë.
Angazhim i nivelit të lartë
As Shtëpia e Bardhë, as Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, lidhur me motivet e këtij angazhimi të nivelit të lartë.
Analistët e kontaktuar nga Zëri i Amerikës, nuk shohin ndonjë përfitim të madh strategjik nga ana e Shteteve të Bashkuara, në këmbim të rolit që ata po luajnë.
Por ata shprehen se është koha që kjo çështje të zgjidhet dhe se ajo mjnd të jetë një fitore e lehtë e politikës së jashtme amerikane, krahasuar me sfidat e tjera ndërkombëtare.
“Sipas mendimit tim, administrata po përpiqet me të gjitha forcat për një sukses, diku në ndonjë pjesë të botës. Nuk ka ndonjë interest strategjik”, i tha Zërit të Amerikës, analisti Daniel Serwer i Univerisitetit Johns Hopkins.
Damon Wilson, zëvendës president i Këshillit të Atlantikut, dha një koment të ngjashëm për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, duke përmendur mungesën e përparimit në disa prej prioriteteve të politikës së jashtme amerikane, si Irani dhe Koreja e Veriut.
“As në Ballkanin Perëndimor, nuk është e thjeshtë të arrish sukses, por atje ke të bësh me shtete demokratike që duan të jenë pjesë e Perëndimit dhe kanë një vizion të përbashkët për rajonin, si pjesë e Evropës. Kjo na jep një mundësi të mund të kontribuojmë dhe megjithëse mund të duket e vështirë, po ta krahasosh me Iranin, Korenë e Veriut dhe Venezuelën, është e thjeshtë”, tha ai.
James Hooper, ish-diplomat i Departamentit të Shtetit thotë se një sukses në Ballkan, do të ishte i dobishëm politikisht për Presidentin Trump në këtë kohë.
“Kështu ai mund të demonstrojë se gjyqi për shkarkimin, nuk e shpërqendron nga fokusi tek siguria kombëtare dhe tek çështjet ndërkombëtare”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Ai shton se një sukses në politikën e jashtme mund ta ndihmojë zotin Trump në fushatëm për rizgjedhje.
Por zoti Wilson thotë se nuk duhet ekzagjeruar ndikimi i kësaj nisme tek zgjedhjet.
“Nuk mund të thuash se është një çështje që mund të sigurojë mbështetjen e votuesve të Ajovas”, tha ai duke iu referuar shtetit ku do të mbahen votimet e para për zgjedhjen e kandidatëve presidencialë në fillim të shkurtit.
Shanse për përparim
Pavarësisht nga motivet e administratës, zoti Hooper e sheh angazhimin amerikan si një mundësi për përparim në marrëdhëniet e vështira mes dy vendeve.
“Është një shans i prekshëm sepse Uashingtoni po i kushton vëmendje dhe Grenell është serioz dhe ka mjaft ndikim në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.
Zoti Wilson thotë se duke pasur parasysh zhvillimet në botë dhe në Shtetet e Bashkuara, ky angazhim është akoma më shumë për t’u shënuar, sepse dërgon sinjalin që…
“Ne do të angazhohemi, nuk do të lëmë zbrazëtirë në Ballkanin Perëndimor, kemi një rol për të luajtur dhe do ta luajmë atë”, thotë ai.
Prof. Alon Ben-Meir i Universitetit të Nju Jorkut, thotë se si Kosova edhe Serbia, duhet të përfitojnë nga ky shans.
“Janë fqinjë, duhet të marrin e japin me njëri-tjetrin. Duhet ta pranojnë se disa realitete në terren që ata nuk mund t’i ndryshojnë. Dhe kur të arrijnë në atë pikë, veçanërisht Serbia, mendoj se do të ketë përparim”, thotë ai.
Megjithatë, tani për tani nuk duket se ka sinjale që ky mesazh po dëgjohet. Serbia e hodhi menjëherë poshtë propozimin e zotit Grenell.
“Nuk e pranoj shenjën e barazimit mes tarifave dhe tërheqjen nga fushata e mosnjohjes. Ne kemi qëndrim tjetër për njohjen e Kosovës nga Amerika dhe Prishtina. Ata duan që pavarësia e saj të njihet e në nuk duam. Sa u përket tarifave, ato janë vënë pas asnjë arsye”, tha presidenti Vuçiç.
Kosova nuk ka shprehur një qëndrim të qartë dhe situata atje ndërlikohet nga mungesa e një marrëveshjeje për qeverinë. Qeveria e drejtuar nga kryeministri në ikje, Ramush Haradinaj, i vendosi tarifat në vitin 2018, pas fushatës aktive dhe të suksesshme të Serbisë, që Kosova të mos anëtarësohej në Interpol./VOA/
Media spanjolle “La Vanguardia”: Zbuloni Beratin, qytetin pë...
Komisionet parlamentare vazhdojnë shqyrtimin e ligjit për bu...
Parashikimi i motit për sot
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...