Grenell korr rezultatet e para në bisedime, hapet linja ajrore Prishtinë -Beograd

12:25 | 20 Janar 2020
M. A.

Aviokompania Lufthansa ka njoftuar autoritetet e Kosovës se do të hapë linjën ajrore Prishtinë-Beograd në një të ardhme shumë të afërt.

Kjo është bërë në një ceremoni në Ambasadën Amerikane në Berlin, në prezencën e ambasadorit Richard Grenell, në të cilën përfaqësuesit e kompanisë Lufthansa i kanë dorëzuar Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës letrën me të cilën i njoftojnë autoritetet e Kosovës për këtë synim dhe kërkojnë që institucionet e Kosovës t’u ofrojnë përkrahjen e nevojshme si për fluturimet tjera.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha, është shprehur se kjo letër është një hap tjetër përpara në angazhimin e institucioneve të Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore në Kosovë.

“Me këtë vihet kontakti në mes dy autoriteteve të aviacionit civil, në mes të Kosovës dhe Serbisë, si partnerë të barabartë”, u shpreh Berisha.

“Por, ky është hap i parë drejt normalizimit të plotë të hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapjen e korridoreve ajrore me gjitha shtetet përreth saj. Nga kjo do të përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet e Aeroportit të Prishtinës”, shtoi ai.

Berisha u shpreh mirënjohës për Ambasadorin Grenell, për administratën amerikane, për NATO-n dhe për KFOR-in për mbështetjen e tyre në përpjekjet e Kosovës për normalizim të plotë të hapësirës ajrore dhe të trafikut ajror në Kosovë.

Prezent në konferencën për media në Berlin, ku i njoftua publiku për këtë çështje, ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, Robert O’Brien.

Për këtë ka folur edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Ai ka thënë se pret që të nënshkruhet një letër mes Ministrisë së Ekonomisë së Serbisë dhe kompanisë “Lufthansa” në Berlin, me të cilën do të mundësohej kthimi i linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit pas 20 vjetëve.

“Përpos 12 autobusëve që i lidhin rregullisht Beogradin dhe Prishtinën, ne poashtu mund të kemi një linjë ajrore në të ardhmen”, tha Gjuriq.

Sipas tij, zyrtarët e Beogradit do t’i njoftojnë UNMIK-un dhe KFOR-in për këtë qëllim./GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme