Kryetarja e shoqatës nga Klina “Familja dhe Shpresa’, Zana Bytyçi-Geci ka kërkuar një takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Gllauk Konjufca, për t’i dorëzuar atij kërkesën, tash edhe në cilësinë e kreut të Kuvendit, për plotësimin e ligjit për gjykatën speciale për krimet e luftës në Kosovë.
Zana Bytyqi-Geci shkruan në letrën publike se meqë pozita e Konjufcës tash ka ndryshuar ai mund të iniciojë aty në Kuvend kërkesën për plotësimin e ligjit të gushtit të vitit 2015, në mënyrë që gjykata në fjalë të merret edhe me krimet e Serbisë ndaj civilëve shqiptarë e t’i ndëshkojë vrasësit serbë për krimet e bëra gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Bytyqi-Geci në letër thotë se delegacioni i shoqatës ka edhe plotë çështje të tjera për të biseduar dhe kërkuar nga Konjufca në pozitën e tij të re institucionale dhe nga partia e së cilës ai është anëtar që ndërlidhen me krimet e Serbisë, por se ato do të t’ia bëjnë sy-me-sy në takimin e kërkuar.
Më poshtë letra e shoqatës nga Klina ‘Familja dhe Shpresa’ :
Zotëri Kryetar i Kuvendit të Kosovës Gllauk Konjufca,
Unë Zana Bytyqi-Geci, përfaqësuese e shoqatës “Familja dhe Shpresa” si dhe familjarët e tjerë të 86 të vrarëve e të zhdukurve nga komuna e Klinës me 4 Prill 1999 në Masakrën e Kralanit, me këtë dërgesë po ju kërkojmë një takim me ju personalisht në zyrën tuaj.
Në këtë takim ne do t’ju dorëzojmë personalisht juve në duar krejt kërkesat me shkrim që iu kemi bërë që nga 13 Nëntori 2016 krejt institucioneve të Republikës së Kosovës, krejt partive politike, krejt parlamentarëve të kuvendeve të kaluara, për plotësimin e ligjit të mbrapshtë për gjykatën speciale selektive për pretendimet ndaj pjesëtarëve të UÇK-së për krime të luftës, ligj dhe gjykatë kjo e cila e ka amnistuar Serbinë dhe kriminelët e saj nga krimet e bëra ndaj civilëve shqiptarëve të Kosovës.
Kërkesat tona vite më parë i janë bërë edhe partisë suaj (LVV), edhe juve personalisht si anëtar i parlamenteve të deritashme të vendit.
Ne kemi përsëri një kërkesë të këtillë ndaj jush, tash kur jeni në postin më të lartë në institucionin më të lartë të Kosovës, dhe kur partia e juaj tash pritet që të jetë pjesë përbërëse e shumicës parlamentare dhe e qeverisë.
Situata e juaj dhe e partisë tuaj ka ndryshuar apo është duke ndryshuar. Tash nuk jeni në opozitë por jeni duke u ngjitur edhe në pushtet. Anëtarë të partisë suaj tashmë i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së zyrës së prokurorit Jack Smith për intervistime, dhe qëndrimi i mëhershëm i LVV-së ndaj kësaj gjykate praktikisht pra nuk është i vlefshëm.
Shkuarja e anëtarëve të LVV-së për intervistim në Hagë është dëshmi praktike se tash edhe LVV e pranon këtë gjykatë, edhe pse në gusht të vitit 2015 deputetët e LVV-së kanë votuar kundër saj dhe deri para këtyre shkuarjeve në zyret e Jack Smithit pretendonin se ata dhe LVV nuk e njohin këtë gjykatë.
I nderuari zotëri Konjufca, tash jeni në pozitë për të iniciuar dhe tentuar grumbulluar mjaftueshëm shumicë votash edhe për të plotësuar ligjin e mbrapshtë të vitit 2015.
Shpresojmë shumë se nuk do ta refuzoni kërkesën tonë për takim aty në zyrën tuaj në Prishtinë.
Zotëri Kryekuvendar i Republikës së Kosovës,
Pa marrë parasysh heshtjen tuaj të deritashme, të LVV-së dhe partive të tjera të Kosovës ne nuk do të heqim dorë nga kërkesa e jonë e bërë që nga 13 nëntori 2016 për të plotësuar këtë ligj i cili në natyrën e tij është më shumë se i mbrapshtë.
Me këtë ligj, aty në kuvendin e vendit tonë, u themelua pikërisht një gjykatë e mbrapshtë, e turpshme, e njëanshme.
Turp për të gjithë ata në Kosovë dhe kudo tjetër të përfshirë në këtë ligj e gjykatë e që flasin për drejtësi përditë para publikut, siç po bëjnë edhe këtyre ditëve për masakrën në Reçak e që heshtin ndaj kërkesës sonë për plotësimin e ligjit në fjalë.
Ky ligj në formën e tij të tashme po e fal Serbinë dhe kriminelët e saj nga krimet ndaj civilëve shqiptarë. Gjykata në fjalë po e falë Serbinë dhe kriminelët e saj nga krimet e tmerrshme ndaj më të dashurve tanë dhe krejt viktimave të tjera civile në krejt Kosovën, pikërisht me fajin e deputetëve të vitit 2015 dhe deputetëve të kuvendeve që pasuan që nuk e plotësuan këtë ligj.
Zotëri Kryekuvendar Konjufca,
Shpresojmë se ju, pikërisht ju, do të jeni ai i cili do të mobilizojë krejt krerët e partive shqiptare dhe deputetët e tyre, që urgjentisht të ndryshojnë mendje dhe ta plotësojnë këtë ligj.
Kurrë nuk është vonë.
Ka përplot raste nëpër botë. Shih gjenocidin ndaj popullit hebrej, i cili i ndihmuar nga institucionet e shtetit të Israelit, edhe pas 75 viteve që nga përfundimi i luftës vazhdon që të ndjekë nëpër gjykatat e botës kriminelët nazistë të regjimit monstruoz të Hitlerit.
Është ky një shembull që ne si popull duhet ndjekur.
E ky shembull thotë shumë thjeshtë: Kurrë nuk është vonë për të çuar drejtësinë deri në fund.
Ky shembull është ilustrim i mrekullueshëm, i jashtëzakonshëm për të gjithë ne në Kosovë, pra edhe për ju dhe krejt politikanët e tjerë të Kosovës, e diplomatët e huaj në Prishtinë, për t’u mobilizuar bashkë me ne, shoqatën ‘Familja dhe Shpresa’, e shoqatat e tjera të njëjta në Kosovë, për të plotësuar këtë ligj dhe respektuar fjalën që politikanët aty në Kosovë, e diplomatët e zyrtarët perëndimor po na e thonë përditë: “Nuk ka paqe pa drejtësi”.
Deri më sot, me këtë ligj dhe me këtë gjykatë të re në Hagë për Kosovën, kjo fjali e mrekullueshme është shkelur turpshëm me të dy këmbët dhe duartë nga krejt politikanët e Kosovë, e po aq edhe nga krejt diplomatët e zyrtarët perëndimor dhe qeveritë e tyre.
Gabimi i gushtit 2015 mund të përmirësohet vetëm duke u plotësuar ligji në fjalë.
Me datën 3 Gusht 2015, në Kosovë bota perëndimore dhe institucionet e Kosovës e shqelmuan drejtësinë pa fije turpi, sepse e ndotën fjalinë “Nuk ka paqe pa drejtësi”.
Zotëri Kryekuvendar i Republikës së Kosovës,
Ne kemi edhe shumë çka tjetër për t’ju shkruar e thënë sy-me-sy, juve dhe krejt politikanëve të Kosovës dhe diplomatëve e zyrtarëve të vendeve aleate të Kosovës sonë të përbashkët.
A jeni ju i gatshëm për të na dëgjuar ?
Nëse po, atëherë na e caktoni datën dhe kohën e takimit sa më parë aty në zyrën tuaj në Prishtinë.
Ju ftojmë që menjëherë pas këtij takimi të dalim së bashku në konferencë për shtyp, e t’iu tregojmë mjeteve të informimit dhe përmes tyre edhe krejt qytetarëve të Kosovës se për çka tjetër biseduam me ju, e që nuk po e rendisim në këtë letër.
Në pritje të përgjigjes tuaj!
Si nisi karriera e Rovenës?
Osmani: Prania e NATO-s përmes KFOR-it në Kosovë ka qenë gji...
Pse Sara i kërkoi falje Drilonit?
Sekuestrohen 76 kilogramë drogë në Itali/ Dy të arrestuar, n...
Sot duelet finale të turneut ‘Adem Jashari’
Stjuardesa e ‘British Airways’ përballet me shkarkimin nga p...