Kryeministri i Libisë, Fayez al-Sarraj, u bëri thirrje trupave ndërkombëtare të mbrojnë civilët në zonat e kontrolluara nga qeveria nëse kryekomandanti i forcave jolegjitime në lindje të vendit, Khalifa Haftar, vazhdon ofensivën e tij ushtarake, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për të përjavshmen gjermane “Welt am Sonntag” përpara konferencës së paqes në Berlin për Libinë, al-Sarraj kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të marrë më shumë përgjegjësi për t’i dhënë fund dhunës.
“Nëse Khalifa Haftar nuk do të ndalojë ofensivën e tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë një qëndrim më aktiv, gjithashtu duke dërguar trupa ndërkombëtare për të mbrojtur popullsinë civile libiane”, tha ai.
Al-Sarraj nënvizoi se një forcë e tillë ndërkombëtare mbrojtëse duhet të vendoset nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Atëherë, ekspertët duhet të diskutojnë se kush duhet të marrë pjesë në këto forca, si BE, Unioni Afrikan apo Liga Arabe”, shtoi ai.
Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë në Tripoli ka qenë nën ofensivë nga Khalifa Haftar që nga prilli i vitit të kaluar, kurse në luftimet gjatë nëntë muajve të fundit vranë më shumë se 1.000 njerëz.
Më 12 janar, palët ndërluftuese të konfliktit në Libi shpallën një armëpushim si përgjigje ndaj thirrjes së përbashkët të udhëheqësve turq dhe rus.
Por bisedimet për një armëpushim të përhershëm përfunduan pa marrëveshje të hënën pasi Haftar u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen.
Në vazhdën e bisedimeve në Moskë, Gjermania ftoi fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë në një konferencë paqeje në Berlin të dielën në përpjekje për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme armëpushimi dhe për t’i hapur rrugën zgjidhjes politike në Libi.
Konferenca do të mbahet në mes të një armëpushimi të brishtë midis qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Libisë dhe forcave besnike të Haftarit.
Gruaja bie nga kati i shtatë i një banese në Fier, dyshohet ...
“Të ndalohen telefonat”, Rama: Kontrolle në hyrje dhe dalje ...
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...