Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e cilësoi si “njeri jo të besueshëm” gjeneralin e forcave jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, i cili nuk firmosi armëpushimin e shpallur në vend përkundër zotimeve, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ky njeri nuk është i besueshëm. Ata vazhduan ta bombardojnë Tripolin”, tha Erdoğan në një prononcim për gazetarët pas faljes së namazit të xhumasë në Stamboll.
Ai tha se ditët në vijim do të jenë të rëndësishme për shkak të konferencës ndërkombëtare që do të mbahet në Berlin të dielën në lidhje me Libinë.
“Unë u jap shumë rëndësi këtyre ditëve. Uroj që të qëndrojnë prapa premtimeve. Përkundrazi, ne natyrisht do ta ndjekim çështjen”, deklaroi presidenti turk.
Të hënën në Moskë delegacionet turke dhe ruse zhvilluan bisedime me palët ndërluftuese në Libi, ku pritej të formalizohej armëpushimi i filluar më 12 janar në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe atij rus, Vladimir Putin.
Marrëveshja u nënshkrua nga Fayez al-Sarraj, kreu i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga OKB-ja, por Khalifa Haftar, komandanti rebel me bazë në lindje të Libisë, mëngjesin e nesërm u largua nga Moska pa e nënshkruar marrëveshjen.
Të dielën, më 19 janar, në kuadër të Procesit së Berlinit për zgjidhjen e krizës në Libi, në kryeqytetin gjerman do të mbahet një konferencë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, u ka bërë ftesë krerëve të shteteve dhe qeverive për të qenë pjesëmarrës në takim.
Në konferencë do të marrin pjesë përfaqësues nga Turqia, SHBA, Rusia, Britania, Franca, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Republika e Kongos, Italia, Egjipti, Algjeria, si dhe përfaqësues nga OKB, Bashkimi Evropian (BE) dhe Bashkimi Afrikan.
Ndërkaq, është njoftuar se në konferencë janë ftuar edhe al-Sarraj dhe Haftar.
Më parë janë mbajtur pesë takime në nivel pune në kuadër të Procesit të Berlinit për çështjen e Libisë.
Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe EBA dhe tjetra GNA me qendër në Tripoli që gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.
Në muajin prill, Haftar nisi një ofensivë për pushtimin e Tripolit, veprim i cili u kundërshtua nga komuniteti ndërkombëtar.
“Regjimi i Asadit nuk po respekton armëpushimin në Idlib”
Në lidhje me situatën e fundit në Idlib të Sirisë veriperëndimore, Erdoğan tha se zhvillimet aktuale në këtë rajon tregojnë se regjimi i Bashar al-Asadit nuk po respekton armëpushimin e shpallur.
“Kjo dëshmon se regjimi nuk po i respekton hapat që kemi bërë lidhur me armëpushimin”, tha Erdoğan i pyetur në lidhje me valën e fundit të migrimit që ka filluar nga Idlibi drejt kufirit turk si pasojë e sulmeve intensive të regjimit sirian dhe mbështetësve të tij.
Presidenti turk i cilësoi si shqetësuese zhvillimet në Idlib.
“Megjithatë, nuk mund të ngelemi vetëm me Idlibin. Në tërë korridorin, nga verilindja deri në veriperëndim, ka probleme serioze”, shtoi Erdoğan.
Erdoğan theksoi se edhe pse konferenca e së dielës në Berlin ka të bëjë me Libinë, ai planifikon që në rend dite ta sjellë edhe çështjen e Idlibit.
Ndryshe, regjimi i Asadit po vazhdon sulmet në Idlib përkundër armëpushimit të shpallur me iniciativë të Rusisë dhe Turqisë.
Rusia kishte njoftuar zbatimin e armëpushimit nga pasdita e 9 janarit, por sulmet tokësore të regjimit dhe grupeve terroriste të mbështetura nga Irani kishin vazhduar.
Më pas, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe ai rus Vladimir Putin gjatë takimit në Stamboll më 8 janar kanë rënë dakord që armëpushimi të fillojë nga mesnata e 12 janarit, por regjimi sërish ndërmori sulme ajrore ndaj vendbanimeve civile.
Gjatë takimit të Turqisë, Rusisë dhe Iranit në maj të vitit 2017 në Astana të Kazakistanit, Idlibi u shpall zonë e deeskalimit, ku aktet e agresionit do të ndaloheshin.
Turqia dhe Rusia arritën një marrëveshje shtesë në shtator të vitit të kaluar në Soçi si pasojë e shkeljes së armëpushimit nga ana e regjimit sirian.
Megjithatë, forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve i kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes. Që nga ajo datë, mbi 1.600 civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.
Rusia, regjimi dhe terroristët që i mbështesin që shënjestrojnë Idlibin, vetëm që nga fillimi i vitit 2019 kanë shkaktuar migrimin e rreth 1.300.000 civilëve në afërsi të kufirit me Turqinë.
Moti i keq shkakton përmbytje në Itali
Aksident tragjik në Fier, dy të vdekur dhe dy të lënduar
HRW: Transferimi me forcë i palestinezëve në Gazë përbën kri...
Ministria e Shëndetësisë organizon tryezë diskutimi me rasti...
I bënë atentat pranë shtëpisë, ndërron jetën biznesmeni në T...
MKRS-ja sot ndan çmimet për Dramën Origjinale Shqipe