Google ADS

Hoti në Gjakovë: Libri është magjia që keni në duar

17:56 | 16 Janar 2020
Arbresh.info

Me ceremoni madhështore sot është bërë shpërndarja e librave për nxënësit fitues në komunën e Gjakovës. 319 sete librash në vlerë prej 50 eurosh ju dhuruan fituesve të nivelit komunal në Garën Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe Garës Nacionale të Diturisë.

Librat u shpërndanë nga Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Me këtë rast ai tha se është privilegj për të që të dhurojë shpërblimet më të vlefshme për nxënësit fitues në këtë komunë dhe përgëzoi drejtorinë komunale për organizimin e garave dhe përkushtimin e treguar të realizimit të tyre me sukses.

Në Gjakovë, Hoti tha se “të ndash 319 sete librash për nxënës është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua, sidomos kur shoh fytyrat e juaja të gëzuara. Sukseset e nxënësve në gara janë edhe sukses i të gjithë atyre që nuk u kursyen punën dhe mbështetjen për rezultatet të mira në fund. Jemi këtu fal punës suaj nga e cila keni zënë vendet e para në disa nivele, si dhe vendin e parë për shkollën më të mirë në nivel Republikan. Gjakova është gjithmonë e veçantë pasi këtu ka buruar truri i këtij vendi prandaj duhet të bëjmë sa më shumë “Gjakova” në Kosovë. Ne duhet të zhvillojmë arsimin, i cili në gjenerata të tëra ka shërbyer në të gjitha agjendat dhe kohërat e Republikës sonë. Përmes leximit unë ju garantoj që ju do të jeni të jashtëzakonshëm dhe tek leximi do të përfitoni pasurinë më të çmueshme. Ju jeni fëmijët autokton të Evropës dhe ne kemi një mundësi si shtet i vogël që përmes arsimit dhe sportit të njihemi në botë. Libri është arma ose magjia në duart e juaja, diamanti i fshehur prandaj duhet të kthehemi leximit dhe t’i themi mjaft shpërfilljes së arsimit në vendin tonë”.

Shefi i Arsimit në Gjakovë, Zymber Berisha ndër të tjera tha se “sot këtu në mesin e juaj shfrytëzoj të përshëndes “Qershiat mbi tortë” nxënësit tonë fitues nga Komuna e Gjakovës. Po ashtu Koordinatorit Hoti i uroj mirëseardhje në qytetin kampion dhe shkollën kampione në nivel të Kosovës. Ju uroj suksese edhe më tutje të gjithëve”.

Në ceremonitë e shpërndarjes së librave të pranishëm ishin edhe zyrtarë institucionalë, mësimdhënës, nxënës e prindër. Shpërndarja e librave për nxënësit fitues do të vazhdojë edhe për komunat tjera.​/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme