Gjykata anulon vendimin e ZRRE-së tarifat nxitëse

10:13 | 16 Janar 2020
Arbresh.info

Është aprovuar kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike.

Kështu ka bërë të ditur vet VV përmes një komunikate, shkruan arbresh.info.

Aty thuhet gjithashtu se ky vendim është anuluar derisa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata.

Më poshtë mund të gjeni të plotë njoftimin.

“Anëtari i Kryesisë Sami Kurteshi dhe aktivisti Getoar Mjeku, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor, dorëzuan me 24 dhjetor padi ndaj vendimit të ZRRE-së për shtimin e kapaciteteve me tarifa nxitëse për sistemet solare fotovoltaike.

Me 14 janar u njoftuam nga Gjykata Themelore me Aktvendimin ku aprovohet kërkesa jonë për pezullimin e këtij vendimi deri sa kjo çështje të shqyrtohet nga Gjykata.

Rikujtojmë se ky vendim u morë më 27 nëntor 2019, teksa në Kosovë ishte shpallur ditë zie për viktimat e tërmetit në Shqipëri. Në atë mbledhje Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë pasi që e shtoi si pikë të rendit të ditës aty për aty dhe pa arsyetim valid, mori vendim për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut. Të njëjtin vendim e patën marrë edhe në 2016 me një çmim edhe më të lartë se tash, 136.4 euro për MWh që u paguhet për 10 vite dhe mbi 50% të tyre një grupi financiar, Devollit. Por nuk u mjaftoi kjo, e përsëritën duke e zgjeruar në 20 MË dhe me tarifën nxitëse 85.5 euro për MWh, për 12 vite, tash mbi 60% të njëjtit grup financiar.

Vendimi i paditur nga ne nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe cenon interesin publik në favor të interesave private të cilat në rastin konkret nuk shërbejnë për asgjë tjetër në sektorin energjetik e as obligimeve ndërkombëtare të Kosovës, përveçse nga faturat tona të energjisë do të paguhen Devolli e të tjerë për çmimin e energjisë”, thuhet në komunikatë./arbresh.info/

 

Vetëvendosje padit Zyrën e Rregullatorit për Energji

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme