46 mijë shqiptarë ikin në 1 vit, përveç të rinjve largohen mjekë, infermierë, mësues dhe inxhinierë

13:28 | 15 Janar 2020
Arbresh Info

INSTAT-i publikoi së fundmi të dhëna, që tregojnë se nga vendi po largohen mesatarisht në një vit gati 46 mijë persona.

Veç të rinjve, po e lënë Shqipërinë edhe klasa e profesionistëve si infermierë, inxhinierë, mjekë e mësues. Sipas statistikave në tetë vitet e fundit kanë ikur në perëndim rreth 370 mijë qytetarë.

“Rinia është e ardhmja, po ikën edhe ata, ne shkojmë në greminë. Prit kur të mbeten vetëm pensionistët. Unë do ta ndërtoj të ardhmen time këtu. Studioj dhe punoj këtu. Jashtë jeton për të punuar, këtu punon për të jetuar. Po e mori rinia në dorë këtë vend, të gjithë do të kthehen. Studioj për psikologji, edhe punoj, por do të shkoj jashtë. Jemi të demotivuar. Këtu është e vështirë të futesh në tregun e punës, ndërsa jashtë e di që do punoj jashtë profesionit, por të paktën paguhem. Unë jam viti i tretë dhe do të iki në Gjermani vitin tjetër. Këtu asgjë nuk është në vendin e vet”, thotë një qytetare.

Sipas Eurostat-it, 50 për qind e largimeve janë nga 18-34 vjeç, pra mosha që është e aftë për punë.

Emigracioni po shkakton mbyllje të shkollave, boshatisje të vendit, rëndim të skemës së pensioneve, plakje të popullsisë dhe ulje të numrit të lindjeve, duke bërë që me këto ritme deri në vitin 2030, numri i shqiptarëve të zbresë në 1 milion. /TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme