Zyra e Presidentit të Kosovës, ka paralajmëruar mundësinë që presidenti Hashim Thaçi t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar paqartësitë kushtetuese dhe ligjore, në rast se do të ketë vonesa të mëtejme në formimin e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, koalicion i cili do të formonte qeverinë e re.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Zyra e informimit të Presidencës së Kosovës.
“Përgjegjësia kushtetuese e presidentit është funksionalizimi i institucioneve. Ai është garantues i funksionimit kushtetues e demokratik dhe është i obliguar të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur këtë detyrim të tij, duke mos përjashtuar edhe kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit të Kosovës. Megjithatë, kjo zyrë nuk ka sqaruar se kur presidenti i vendit do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që kërkesa eventuale e presidenti të Kosovës për të kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me sqarimin e siç është thënë, “çdo paqartësie kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja”, do të ishte e kotë, për shkak se Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur një herë për një çështje të caktuara dhe ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë të dërgojnë më pyetje për sqarim të çështjes së njëjtë te kjo gjykatë.
“Është e kotë drejtimi në Gjykatën Kushtetuese, meqë nuk kemi rast. Pra, nëse presidenti do të donte t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, duhet të kishte rast. Por, në këtë situatë nuk ka rast dhe nuk ka çfarë të sfidojë te Gjykata Kushtetuese. Nuk kemi ende një rast kushtetues që të shkohet më tutje. Sikur të refuzohej emri i kandidatit ose subjekti politik (Lëvizja Vetëvendosje) të deklaronte se nuk do të dërgojë emrin e kandidatit, atëherë do të mund të ishte një rast. Por, për momentin, nuk ka rast”, tha Spahija.
Kur Spahija thotë se Gjykata Kushtetuese ka dhënë mendimin e saj për një çështje të ngjashme, ai i referohet, sqarimit që kjo gjykatë ka dhënë pas kërkesës që ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ia kishte drejtuar këtij institucioni më të lartë të drejtësisë, në qershor të vitit 2014. Jahjaga kishte kërkuar sqarimin e çështjeve kushtetuese që ndërlidheshin me përgjegjësitë e saj, në përcaktimin e mandatarit për themelimin e qeverisë, në përputhje me nenin 84, pika 14, si dhe nenin 95 të Kushtetutës së vendit.
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje u soll dhe u publikua më 1 korrik 2014.
“Nëse kandidati i propozuar për Kryeministër nuk merr votat e nevojshme, Presidenti Republikës, në diskrecionin e tij/saj, në bazë të nenit 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet (e regjistruara në pajtim me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme) që kanë plotësuar kriteret e lartpërmendura, pra me parti ose me koalicion që është regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, e ka emrin në fletëvotim të zgjedhjeve, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka kaluar pragun”, thuhej në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, Kushtetuta nuk përcakton ndonjë afat kohor për propozimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re nga partia fituese e zgjedhjeve, në rastin e tanishëm, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë ekzistojnë idetë që mund të ndodhë së shpejti marrëveshja politike për një koalicion qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, sipas tij, është e pakuptimtë që domosdo marrëveshja politike të ndodhë para marrjes së mandatit nga i propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re.
“Në raste të caktuara, nëse nuk ka indikacione se partia fituese (Lëvizja Vetëvendosje) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do ta arrijnë një marrëveshje, atëherë mendoj që nuk duhet të lihet hapësirë e madhe, nëse nuk ka mirëkuptim politik, duhet të trajtohet ligjërisht dhe presidenti apo dikush tjetër, e dërgon në Gjykatë Kushtetuese, me kusht që nuk shkakton vonesa të reja. Por, nuk mundemi ne që sa herë që të kemi zgjedhje dhe proces të formimit të qeverisë, të krijojmë procedura gjyqësore kushtetuese, t’i japim përgjigje kushtetuese. Besoj që duhet të kuptohet që kjo është e drejtë me automatizëm dhe nga Vetëvendosja duhet të reagohet shpejt”, vlerësoi Rashiti.
Por, Spahija shpreh mendimin që edhe në rast se eventualisht presidenti Thaçi i drejtohet me kërkesë Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit, sipas tij nuk do ta merrte parasysh një kërkesë të tillë, për të cilën tashmë ka dhënë mendimin e saj, siç thotë ai, në situatën e ngjashme në vitin 2014.
“Nuk e besoj që Gjykata Kushtetuese o të vendoste për një çështje, për të cilët tashmë ka vendosur. Në rastet kur vendoset për një çështje të tillë, atëherë palët e tjera, në rastet e ngjashme, si do t’i referoheshin Gjykatës Kushtetuese? Me aktgjykimin e parë, apo t’i referohen aktgjykimit të dytë? Tashmë ekziston një rast, një precedent, në mënyrën e interpretimit të Kushtetutës. Nuk do të thotë që është interpretimi më i mirë, sepse ka pasur në favor dhe kundër, kur është bërë ai interpretim. Por, ai mendim mund të ndryshohet vetëm nëse e ndryshojmë vetë Kushtetutën dhe të kemi një normë të re”, u shpreh Spahija.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga certifikimi rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë duke bërë përpjekje për arritjen e një koalicioni qeverisës, të cilat deri më tash kanë rezultuar të pasuksesshme.
Më 10 janar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke i kërkuar atij emrin e mandatarit të Vetëvendosjes për postin e kryeministrit, për të evituar vonesat rreth formimit të qeverisë së re.
Thaçi, kishte shkruar se do “të ndërmarrë veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre”.
Më 13 janar, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një përgjigje me shkrim i është drejtuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke i kërkuar që të mos bëhet presion për emrin e mandatarit për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.
Ai ka thënë se “Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo edhe të garantimit të një shumice parlamentare për zgjedhjen e qeverisë në kuvend”.
Asani para ndeshjes me Çekinë: Nuk ka rëndësi kush shënon, t...
Zelenskiy thotë se Ukraina duhet të bëjë gjithçka për t’i dh...
Makina përplas një këmbësor në Elbasan
Lajmi i mirë për Shqipërinë, Gjeorgjia dhe Ukraina ndajnë pi...
‘Turneu i Ndryshimit’ arrin edhe në Istog, Abdixhiku: Si gji...
Sylvinho përzgjedh formacionin anti-Çeki