IuteCredit, një kompani e vogël estoneze për dhënie të huave, e cila vepron në Ballkan, i është mohuar licenca në Kosovë dhe kundër saj janë nisur procedurat e likuidimit. Sipas pronarëve, asnjë skenar nuk mund të përjashtohet, përfshirë përpjekjet për rrëmbimin e biznesit.
IuteCredit Europe AS, një kompani e vogël për huadhënie, e filloi veprimtarinë e vet në vitin 2008 dhe vepron në gjashtë shtete të Ballkanit, përfshirë Kosovën. Kompania e filloi punën në këtë vend në tetor të vitit 2017.
Tarmo Sild, njëri nga pronarët e IuteCredit-it, i tha Radiotelevizionit Publik Estonez se biznesi në Kosovë është vetëm një pjesë e tërë grupit IuteCredit, i cili ka më shumë se gjysmë milioni klientë. Në Kosovë, fillimi i veprimtarisë ishte paraprirë nga një procedurë e plotë e licensimit, por licenca u tërhoq papritmas më 6 dhjetor të vitit të kaluar. Kompania, e cila deri atëherë e kishte ndërtuar një portofol me hua prej 12 milionë dollarësh, e mori vesh këtë lajm përmes medieve.
Sipas transmetuesit publik estonez, ERR, arsyet për këtë vendim nuk ishin të kënaqshme për IuteCredit-in dhe, sipas Silla-s, dokumenti origjinal nuk i është dorëzuar kompanisë.
“Gjëja më shqetësuese është se jo vetëm që është marrë licenca, por janë hapur edhe procedurat e likuidimit. “Nuk ka pasur ndonjë justifikim, por në rastin më të keq, një rrëmbim të stilit rus”, tha Sild.
Ai shtoi se në vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës përmenden dy arsye. E para, IuteCredit-i ofron hua me interes më të lartë sesa interesi i paraqitur në planin e biznesit në vitin 2017. Megjithatë, sipas kompanisë, ligjet e Kosovës nuk kërkojnë nga kompania që ta zbatojë planin e vet të biznesit dhe nuk e përcaktojnë shkallën maksimale të interesit.
Sild theksoi se shkalla e interesit e këtyre huave është e krahasueshme me huat që jepen në Estoni. Për shembull, për një hua prej 500 eurosh për një vit, që është pak më shumë se paga mesatare mujore në Kosovë, kësti mujor i huas është përafërsisht 57 euro dhe pagesa e përgjithshme është 12 herë nga 57 euro. Në Kosovë nuk është i ndaluar dhurimi i huave me shkallë të interesit 58-59 për qind në vit.
Ai shtoi se kishte dorëzuar plane të rishikuara të biznesit në Bankën Qendrore të Kosovës edhe pas miratimit dhe se planet do të duhej të përshtateshin në mënyrë të pashmangshme ndaj rrethanave.
Një arsye tjetër e Bankës Qendrore të Kosovës ishte se ajo ka pranuar informata nga autoritetet e sigurisë që një aksionar në IuteCredit nuk është legjitim.
“Nuk kam të dhëna se çfarë do të thotë kjo, çfarë është ky organ i sigurisë dhe çfarë janë këto informata. Aksionari është i njëjti si para se të jepej licenca. Ne besojmë se aktivitetet tona i plotësojnë të gjitha kërkesat, përfshirë kërkesat që kanë të bëjnë me luftimin e pastrimit të parave”, shtoi ai.
Sipas tij, kjo është një mosmarrëveshje ligjore që duhet të shqyrtohet në arbitrazhin ndërkombëtar për t’i mbrojtur investitorët. Së dyti, ai thotë se kompania nuk e ka humbur shpresën se do ta kthejë licencën dhe se do t’i eliminojë arsyet që e kanë sjellë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës.
“Kjo gjë do të funksionojë përfundimisht, prandaj nuk jam i brengosur. Por nuk e di se sa shpejt do të zgjidhet dhe nëse kjo gjë do të bëhet përmes arbitrazhit. Ekziston mundësia që në atë rast ne të mos e vazhdojmë biznesin në këtë shtet ose ndoshta e tëra do të zgjidhet në ndonjë mënyrë tjetër ligjore. Nga këndvështrimi ynë, kjo ndoshta do të nënkuptonte kthim të licencës”, tha Sild.
Nesër vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Eksperti i gjuhës së trupit tregon momentin e saktë kur duel...
Ushtria izraelite lëshon urdhra të reja evakuimi për Bejruti...
Moti sot në Shqipëri
AKK: Buxheti 2025, i pamjaftueshëm për komunat
Hamza sot takohet me diasporën në Zvicër