Prodhuesit kosovarë janë më të diskriminuarit në rajon. Përveç ballafaqimit me konkurrencë të ashpër, ata përballen edhe me problemin e vizave.
Kështu bëjnë të ditur njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë, të cilët thonë se prodhuesit kosovarë ende përballën me shumë sfida për eksport.
Këto probleme, sipas tyre, po bëjnë që Kosova të ketë një eksport rreth 80 herë më pak sesa import.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini për arbresh.info thotë se prodhuesit në Kosovë nuk janë të barabartë me ata të rajonit.
”Sfidat e prodhueseve vendor për të prodhuar dhe për të eksportuar janë të shumta por duhet të themi se Kosova dhe bizneset e saj prodhuese ballafaqohen me konkurrencë të ashpër duke mos qenë të barabartë në shumicën e rasteve me prodhuesit e regjionit për arsye se prodhuesit regjional kanë shumë subvencione për të prodhuar dhe eksportuar”, shprehet ai.
Shahini ka shtuar se politikat më të favorshme ekonomike do të ngrisnin punësimin dhe zhvillonin eksportin.
“Kosova ende ka ngarkesa tatimore edhe për disa pajisje dhe disa lëndë të para e lërë më që nuk ka asnjë subvencion për eksport prandaj nëse ne do të dëshironim të kemi prioritet zhvillimin e ekonomik të vendit dhe eksportin do të krijonim politika më të favorshme zhvillimore që do të ngrisin punësimin, zhvillimin por edhe eksportin”, ka shtuar ai.
Ai tha se në eksport vetëm një pjesë e vogël është produkt final, teksa ka përmendur edhe problemin e vizave.
“Ne kemi një eksport rreth 80 herë më pak sesa që kemi import, dhe eksporti jonë që mbulon rreth 10% nga importi janë kryesisht mbetje dhe në përqindje marrin pjesë vetëm 2%-3% të produkteve finale dhe kjo tregon se në të gjitha vendet e BE-së përkundër që MSA është një marrëveshje që i ka hapur perspektiv vendit dhe prodhueseve, referenca tregtare në BE ne i kemi deri në vitin 2023 ende bizneset prodhuese të vendit nuk po zënë hapësirë në BE për arsye se kemi vështirësi në lëvizjen e vet bizneseve për shkak të vizave”, ka shtuar ai.
Shahini: Vitin e kaluar vetëm 20% e bizneseve aplikuan për viza
I pari i AKB-së, ka thënë gjithashtu se ‘vetëm 20% të bizneseve që kanë aplikuar vitin e kaluar për viza, kanë marrë viza e kjo tregon se sa vështirë është që të qarkullohet vet e lërë me bizneset me prodhimet e veta’.
Shahini ka përmendur edhe strategjinë zhvillimore që duhet ta ketë Qeveria e re.
“Të gjitha Qeveritë që kemi përcjell deri më sot u ka munguar strategjia zhvillimore prandaj Qeveria e ardhshme do të duhet të bëj strategjinë duke u dhënë prioritet qoftë biznesit prodhues apo atij shërbyes dhe me këtë do të hap një kapitull të ri të investimeve që do t’i orientoj në bazë të ofertës që bizneset prodhuese do t’i ofrojnë konsumatorëve por edhe vet shteti që do t’i investitorëve dhe orientimit që do t’i jap ën bazë të strategjisë zhvillimore”, ka përfunduar ai.
Ditë më parë edhe drejtori i përgjithshëm i Doganës se Kosovës, Bahri Berisha ka folur për eksportin e produkteve kosovare.
Berisha ka thënë se prodhimet e Kosova eksportohen kryesisht në vendet e rajonit.
“Kryesisht edhe për shkak të kostove të transportit Kosova eksporton më së shumti në rajon, në Shqipëri, Maqedonia, Serbi, pastaj vendet e BE-së siç janë produktet e ushqimit por edhe dyer, dritare dhe prodhime të tjera. Është shpresë për eksportin kosovarë që në baza vjetore të ketë një rritje”, ka thënë Berisha.
Berisha: Dogana ka shënuar rritje 4 % më shumë së vitin e kaluar
Ndërsa sipas tij, Dogana e Kosovës e ka përmbyllur vitin 2019 me performancë më të mirë, duke shënuar rritje të hyrave për rreth 4%.
“Dogana vazhdon të tregojë një performancë jashtëzakonisht të mirë sidomos në aspektin e të hyrave, në vitin 2019 ka mbledhur afër 1.2 miliardë euro. Nëse i marrim parasysh efektet që kanë pas taksa doganore në import, si lirimi për lëndën e parë për prodhuesin e Kosovës, këtu kemi të bëjmë me rreth 80 milionë euro. Taksa që nuk janë mbledhur nga prodhuesit kosovarë, nëse kësaj ia shtojmë ndikimin e MSA-së, e cila është mbi 65 milionë euro, por edhe marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë që ka hyrë në fuqi nga shtatori, pastaj ndalimi i lojërave të fatit ku ne kemi mbledhë akcizë, tregon se Dogana vazhdon të tregoj performancë të mirë. Kemi rreth 4 % më shumë së vitin e kaluar”, ka thënë ai.
Ndryshe, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në nëntor të vitit të kaluar ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin tetor 2019.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 4.5% në muajin tetor 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 282.7 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 270.5 milionë Eurosh në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 10.3%.
Eksporti i mallrave në muajin tetor 2019 kishte vlerën 32.3 milionë Euro, ndërsa importi 315.1 milionë Euro, që është një rënie prej (-15.6%) për eksport, kurse një rritje prej 2.0% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 31.2% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.5% e përbëjnë produktet bimore; 6.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 5.5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.6% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj./arbresh.info/ Agnesa Çitaku
Kosova dominon në Bukuresht, por nuk ka gola pas pjesës së p...
Kuvendi me sqarim për kontratën e re për pastrim dhe mirëmba...
Policia e Shqipërisë nis aksion të antidrogës, “shënjestër” ...
Mbledhja e përbashkët Kosovë-Maqedoni, dalin detajet
Shqipëria mbyll përgatitjet në “Air Albania”, gati për ndesh...
Vëllai i Xhenetës me urgjencë vjen nga Suedia, gruaja e Mevl...